Kosove, te hene vendim per pagat e policieve serbe te pezulluar

Prishtinë, 7 mars, 12:15, NOA - Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë pritet që së shpejti të marrë një vendim të ri lidhur me policët serbë të pezulluar, të cilët që prej një viti marrin paga, duke ndenjur në shtëpi. Një grup punues do nisë të hënën vlerësimin e gjendjes aktuale.
Qeveria e Kosovës paralajmëron se së shpejti mund të dalë me vendim të ri që mund të ndryshojë statusin e tashëm të qindra policëve serbë, të cilët për pothuaj një vit marrin pagë edhe pse nuk paraqiten fare në punë.
Pas shpalljes së pavarësisë vitin e kaluar, mbi 300 policë serbë refuzuan t’u bindeshin urdhrave të Drejtorisë së Policisë së Kosovës, duke e konsideruar si legjitim vetëm UNMIK-un.
Meqë shumica e stacioneve policore në qendrat e Kosovës qenë pavarësuar nga misioni i atëhershëm i UNMIK-ut, policët serbë zgjodhën që të bojkotojnë punën.
Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, njofton se një grup punues do të fillojë nga e hëna vlerësimin e gjendjes më të re në terren.
“Prej javës së ardhshme do të fillojë punën një grup punues i MPB-së dhe i menaxhmentit të lartë të policisë, për ta bërë një vlerësim të gjendjes aktuale, dhe varësisht nga rekomandimet që do të na i sjellë ky grup, ne do të marrim një qëndrim të ri për çështjen e policëve serbë në përgjithësi”.
“Pra, do të jetë një grup që do të ketë mandat ta bëjë një vlerësim të brendshëm, të sjellë disa rekomandime, ose të krijojë një pamje të re, në bazë të rrethanave të reja dhe të marrë një qëndrim rreth tyre”, u shpreh Pajaziti.
Udhëheqësia e Policisë së Kosovës, vitin e kaluar, kishte marrë vendim që të shpallë konkurs dhe t’i largonte nga puna policët e pezulluarserbë.
Por ka qenë një vendim politik nga qeveria e Kosovës, që ka vendosur t’ua vazhdojë pezullimin me pagesë.
Ngjashëm mendohet se edhe vendimi i ri mund të jetë politik.
NOA-INA