Kryeparlamentarja uron 7 marsin nga shkolla e Rajces ne Librazhd

Rajcë, 7 mars, 13:10, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, iu uroi 7 Marsin mësuesve të të gjithë Shqipërisë, gjatë një vizite që zhvilloi në shkollën e fshatit Rajcë, i cili është një nga fshatrat më kufitarë të Shqipërisë, në rrethin e Librazhdit.
Topalli vizitoi mjediset e shkollës me histori 90 vjeçare, "Sali Halili", ndër themeluesit e së cilës është dhe Themistokli Gërmenji.
Duke përshëndetur mësuesit e shkollës dhe banorët e Rajcës, ajo falënderoi arsimtarët e kësaj zone për punën e tyre.
"Ndihem mirë, se me aq sa ka mundësi shteti ynë jemi përpjekur të bëjmë maksimumin, duke dyfishuar rrogat dhe ju e meritoni këtë. Kemi lënë në dorën tuaj fëmijët tanë. J'ua kemi besuar juve që t'i edukoni, t'i mësoni, që nesër të jenë të aftë për të bërë karrierë në jetën e tyre", tha kryetarja e Kuvendit, duke iu drejtuar mësuesve të shkollës së fshatit.
Gjatë periudhës 2005-2009 në shkollat e rrethit të Librazhdit janë instaluar 9 laboratorë informatike, me 184 kompjutera nga 3 që ishin para vitit 2005.
Në këto shkolla do të instalohen së shpejti 36 sete për laboratorë informatike me një sasi prej 240 kompjuterash.
n.e/NOA