Kosovë, tre raste të reja me virusin e Nilit Perëndimor

Pas vdekjes së një paciente, para dy ditësh, nga Virusi i Nilit Perëndimor, sot janë shfaqur edhe tre raste tjera të prekur nga ky virus. Sipas drejtuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pas analizave të bëra në laboratorët e IKSHP-së është konfirmuar se tre persona kanë rezultuar pozitiv, me VNP-në. Të njëjtit janë dërguar në Klinikën Infektive dhe që aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore, pos njërit që është në gjendje të rëndë klinike.
“Aktualisht në Klinikën Infektive gjenden tre pacientë që janë të moshës së shtyrë dhe të cilët kanë simptome të prekjes së sistemit nervor-qendror, tek të cilët është dokumentuar që bëhet fjalë për infeksionin e Virusit të Nilit Perëndimor. Bëhet fjalë për një pacientë të lindur në vitin 1942, i cili ka ardhur mbrëmë dhe është në gjendje relativisht të rëndë, pra është me vetëdije të humbur, është agresiv, por mendojmë se me parametra vital është stabil dhe mendojmë se do të ketë gjasa që të del nga një gjendje e tillë”, ka thënë Prof.dr. Shemsedin Dreshaj.
Ndërsa, sipas drejtorit të IKSHP-së, Naser Ramadanit situata epidemiologjike është regjistruar në 6 qendra të Kosovës dhe shkaku i vetëm është pickimi i mushkonjave dhe bartja përmes tyre. Ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës që të ruhen nga pickimi i mushkonjave dhe në rastet kur pickohet të lajmërohen menjëherë tek qendrat familjare.
Ramadani ka thënë se IKSHP-ja, Klinika Infektive dhe Ministria e Shëndetësisë kanë marre masat e duhura për të parandaluar ndonjë epidemi me shkallë të gjerë.
Ethet e Nilit Perëndimor zhvillohen në 20 për qind të njerëzve të infektuar me VNP. Simptomat përfshijnë temperaturë, dhembje koke, lodhje, dhembje të trupit, të përziera, të vjella, herë pas herë skuqje të lëkurës dhe ënjtje të gjëndrave limfatike.