Kosovë, vijojnë përplasjet brenda LDK-së
Vijojnë përplasjet në LDK mes liderit të saj dhe kryetarit të Nderit. Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetari i Nderit, Fatmir Sejdiu kanë vazhduar përplasjet për zhvillimet në LDK.
Sejdiu e quan të padrejtë përsëritjen e zgjedhjeve në Degën e Gjakovës. Nga disa delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, Mustafa u akuzua për vendime si në kohën e komunizmit. Në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Sejdiu ka kundërshtuar përsëritjen e zgjedhjeve në Degën e Gjakovës.
Sejdiu, i cili është kryetar Nderi i LDK-së, thotë se vendimi i Kryesisë së partisë është i padrejtë. Në këtë mënyrë, ai përkrah zyrtarët e LDK-së, të cilët e kishin përkrahur edhe publikisht në garën për kryetar të LDK-së, të cilën e humbi në nëntor të vitit të kaluar. “Është një vendim i padrejtë që është marrë ndaj Degës së Gjakovës për shkak se e kam përcjellë atë proces me kohë dhe si duhet. E di se ka pasur nevojë të bëhen plotësime të arsyeshme që kanë qenë qëndrime të degës atje”, është shprehur ai.