E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, viktima e parë nga A/H1N1



Në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë në Kosovë është shënuar rasti i parë i vdekjes nga virusi i gripit të derrave.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili thotë se bëhet fjalë për një person të nga komuna e Drenasit, që në Klinikën Infektive në Prishtinë ishte shtruar para dy ditësh. "Shenjat e para të sëmundjes tek ky pacient janë paraqitur me datën 25 tetor. Ministria bën apel që në të gjitha rastet kur qytetarët vërejnë shenja të ngritjes së temperaturës, të paraqiten tek mjeku, sepse, siç po shihet nga ky rast, ai është paraqitur shumë vonë tek mjeku. Krahas virusit A/H1N1, që është diagnostifikuar tek ai, ky i vdekur ka pasur edhe probleme të tjera shëndetësore që e kanë ndihmuar vdekjen", është shprehur Hoti.
Deri më tani, numri i të infektuarve me këtë virus në këtë Kosovë ka arritur në 32 persona, ndërkohë që janë në pritje edhe rezultatet e 15 mostrave të dyshimta. Zyrtarët kosovarë nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se situata është nën kontroll dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës të mos krijojnë panik. Sipas tyre, ka doza të mjaftueshme të medikamentit Tamiflu, i cili përdoret për trajtimin e të infektuarve, ndërkohë që sipas tyre, vaksinat pritet të arrijnë në dhjetor të këtij viti, ose në janar të vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›