E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu-Dell, vizitojnë Qendrën e Numërimit të Votave



Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Christopher Dell, vizituan të shtunën Qendrën e Numërimit të Votave, ku u njohën me përgatitjet që janë bërë në këtë qendër për procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve lokale të së dielës. "Është në përgjegjësinë tuaj drejtpërdrejt të menaxhoni mirë këtë proces deri në fund. Unë besoj se do t'ia dilni. Nesër qytetarët e Kosovës do të dalin masivisht në zgjedhje. Do të jetë një realizim i ambicies së tyre për të zgjedhur më të mirët", u shpreh Sejdiu, duke kërkuar punë profesionale, paanshmëri politike dhe ndershmëri në të gjitha fazat e procesit zgjedhor. Me këtë rast, ambasadori Dell përkujtoi në fillim ndihmesën e madhe që SHBA kanë dhënë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ai tha gjithashtu se nga vizita në QNV është e dukshme se janë marrë të gjitha masat parandaluese që procesi të shkojë në mënyrë të sigurt. "Unë besoj se asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të ketë frikë të dalë nesër të votojë, sepse votimi i tyre do të bëhet në mënyrë korrekte dhe numërimi i kësaj vote do të bëhet në mënyrë sa më të mirë. Pasnesër bota do të shohë çka mund të bëjë Kosova për veten e vet", tha Dell.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›