E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, zgjedhjet serbe në Veri, pa probleme

06-05-2012 / Gazeta 55

OSBE thotë se deri më tani, nuk ka pasur votime për zgjedhjet lokale të Serbisë, në rajonet ku po mbahen ato parlamentare dhe presidenciale

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Uerner Almhofer, ka vizituar vendvotimet në Graçanicë dhe Llapna Sellë, ku pjesëmarrja e qytetarëve serbë në zgjedhjet e Serbisë thuhet të jetë e lartë. Ai ka thënë se gjithçka po zhvillohet në mënyrën më të mirë. Po nga ky mision thonë se, deri më tani, nuk janë shënuar raste të votimeve për zgjedhjet lokale të Serbisë, në vendet ku po mbahen ato parlamentare dhe presidenciale. “Ne e kemi bërë të qartë se çdo përpjekje për të organizuar zgjedhjet lokale në lokacionet ku OSBE-ja mundëson votimet për parlamentin dhe presidentin e Serbisë, do të paraqiste shkelje serioze të marrëveshjes. Rreth 109,000 qytetarë serbë të Kosovës kanë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, që po lehtësohen nga OSBE-ja. Në çdo qendër votimi është e pranishme edhe Policia e Kosovës. Kjo e fundit, megjithatë, ka plan të detajuar për parandalimin e zgjedhjeve lokale të Serbisë, të cilat është thënë se do të mbahen në Zubin Potok dhe Zveçan, me gjithë kundërshtimet e institucioneve të Kosovës, atyre  ndërkombëtare por edhe vërejtjet e Beogradit. Për mbikëqyrjen e zgjedhjeve serbe presidenciale dhe parlamentare, në Kosovë  janë të angazhuar rreth 500 anëtarë të OSBE-së, të cilët do të vëzhgojnë votimet e rreth 109,000 qytetarëve serbë me të drejtë vote.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›