Përzierja e ushtrisë në punët e Turqisë
Kur gjeneralët rrëzuan qeverinë e parë të udhëhequr nga islamikët në Turqinë moderne, më 1997, ata thanë se lufta kundër fundamentalizmit islamik do të zgjaste “mijëra vjet”. Asnjë fishek nuk u shkrep në atë që u quajt puç postmodern. Në vend të kësaj, gjeneralët orkestruan një fushatë përmes aleatëve në gjyqësorë, medies dhe bizneseve, për ta larguar nga pushteti kryeministrin, Nexhmedin Erbakan. Erbakan u detyrua të nënshkruante direktiva kundër shprehjes së dukshme të devotshmërisë në hapësira publike. Zelli laik shkoi në ekstreme absurde, nganjëherë edhe të ashpër. Studentet e universitetit që mbanin shami futeshin në “dhomat e bindjes”, ku u thuhej t’i hiqnin ato para se të shkonin në mësime.
Dymbëdhjetë vjet më pas, shumica e po të njëjtëve gjeneralë dhe e oficerëve të tyre janë në burg, duke u gjykuar për “pengimin e qeverisë që t’i kryejë detyrat e veta”. Një grup i ri u arrestua këtë javë. Rasti është pjesë e betejës së Partisë në pushtet të Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK), për t’i mbajtur gjeneralët larg nga politika dhe brenda kazermave të tyre. Gjykimi i Kenan Evrenit, që mori pushtetin në një puç të mëhershëm më 1980, po ashtu filloi gjatë këtij muaji. Ky ish-komandant 94-vjeçar zor se do të burgoset. Megjithatë, qindra e mijëra turq që u burgosën dhe u torturuan, mendojnë se drejtësia, ndonëse e vonuar, të paktën po vihet në vend. Këtë më së shumti e ndiejnë ish-të burgosurit e një burgu të udhëhequr nga ushtria në provincën më shumicë kurde, Diyarbakir. Një prej tyre, Felat Xhemiloglu, kujton përmes një libri se si ai dhe të burgosurit e tjerë rriheshin me shkopinj dhe detyroheshin të zhyteshin dhe të hanin jashtëqitjet e veta. Viktimat si ai janë thirrur për të dëshmuar. Një numër i madh i gjeneralëve të pensionuar dhe në detyrë tani ndodhen prapa grilave, në lidhje me të ashtuquajturin komplot “Ergenekon” për rrëzimin e AK-së. Në mesin e planeve të tyre thuhet të ketë qenë vrasja e Orhan Pamukut, fituesit të çmimit “Nobel”, dhe Mesrob Mutafyanit, peshkop armen-ortodoks. Komploti thuhet të jetë organizuar pasi që AK-ja e mori pushtetin, më 2002. Orhan Kemal Cengiz, aktivisti që bën fushata për të drejtat e pakicave, tregon për vrasjen më 2007 të Hrant Dinkut, gazetarit armen dhe të tre misionarëve protestantë në Turqinë Lindore, duke pohuar se edhe ato ishin vepër e “Ergenekonit”. “Plani ishte që bota të besonte se AK-ja po nxiste dhunë kundër të krishterëve”.
Pas dhjetë vjetësh në pushtet, arritja më e madhe e kryeministrit të Turqisë, Recep Tayip Erdogan, është neutralizimi i ushtrisë. Megjithatë, lideri kryesor i opozitës, Kemal Kilicdaroglu, e ka akuzuar Erdoganin që po bëhet gjithnjë e më autoritar, se ai po bën “hakmarrje, e jo drejtësi”.
Të tjerët thonë se pjesa më e madhe e dëshmive kundër gjeneralëve janë të fabrikuara. Dani Rodrik, ekonomisti i respektuar i “Harvard”-it, vjehrri i të cilit është gjeneral i pensionuar, është në mesin e të dyshimtëve të tjerë në një komplot tjetër, të quajtur “Çekani”, u është referuar shumë diskrepancave në një ditar në internet. Në një rast, shkruan ai, “policia kontrolloi shtëpinë e gabuar, mirëpo gjeti dëshmi kundër shënjestrës”. Të paktën disa prej dëshmive duken të dyshimta. Periudhat e gjata të mbajtjes në paraburgim (disa prej të akuzuarve janë mbajtur në burg për katër vjet dhe ende nuk e dinë për çfarë akuzohen) vazhdojnë të lënë hije dyshimi. Derisa Erdogan të mos respektojë premtimin e tij, të bërë para se të rizgjidhej vitin e kaluar, për ta përgatitur kushtetutën e re, e cila do ta zëvendësonte atë të gjeneralëve pas vitit 1980, kredencialet e tij demokratike do të jenë në pikëpyetje.