Gjigantët anglezë ndajnë pikët
Supersfida e futbollit evropian për këtë javë e zhvilluar në Emirates Stadium ndërmjet gjigantëve anglezë, Arsenal dhe Liverpool, ka përfunduar me rezultat të barabartë, 1-1. Që nga minuta e parë kjo sfidë ofroi një lojë me ritëm të shpejtë me raste në të dyja anët, ndërsa lojtarët nuk ndaleshin në asnjë moment. Topçinjtë ishin skuadra e parë që shënuan në minutën e 24-të të pjesës së parë. Një pasim nga largësia të Samir Nasrit e pranoi në mënyrën më të mirë holandezi Robin Van Persie, i cili e mposhti portierin Reina për t'i kaluar vendasit në epërsi. Të kuqtë reaguan në momentin e duhur, pasi që transferi i sivjetmë i Liverpoolit, Robbie Keane, i barazoi shifrat në minutën e 42-të të takimit. Pa përfunduar pjesa e parë, Stiven Gerrard e pati një mundësi të artë për t'i kaluar mysafirët në epërsi, të cilën ia ofroi Dirk Kuyt, mirëpo kapiteni dështoi ta shtynte topin në rrjet. Edhe pjesa e dytë e takimit u zhvillua me një ritëm të furishëm, por skuadrat nuk arritën të preknin rrjetat kundërshtare. Momenti më i vështirë i Arsenalit ishte përjashtimi nga loja i Emmanuel Adebayor (62') me kartonin e dytë të verdhë me ç'rast vendasit është dashur të zhvillojnë gjysmë ore lojë me dhjetë lojtarë.
Mirëpo pavarësisht dallimit në numrin e lojtarëve, Topçinjtë ishin skuadër e barabartë me Të Kuqtë deri në fund të ndeshjes duke kërcënuar portën e Pepe Reainas dhe njëkohësisht u mbrojtën mirë për të mos pësuar gol. Me këtë barazim, Arsenalit dalëngadalë po i shuhen shpresat për të qenë konkurrent në garën për titull, ndërsa Liverpooli ia ka dhënë mundësinë Chelseat që me një fitore eventuale kundër Evertonit të kalojë në pozitën e parë në tabelë.