Kosovën në shënjestër

Vuk Jeremic nuk e ka ndërmend ta ndalë betejën kundër Kosovës. Ditën e fundit në krye të diplomacisë serbe, ai ka qëndruar në Moskë, ku ka bërë fushatë kundër Kosovës.
Për këtë në krah i ka dalë edhe shefi i diplomacisë ruse Sergey Lavrov.
Jeremic, i cili para pak javësh u zgjodh si kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, ka deklaruar se Serbia dhe Rusia kanë vizion të përafërt rreth krizave në botë. Sipas tij, edhe çështja e Kosovës mund të zgjidhet vetëm mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare dhe se hapat e dhunshëm nuk janë të pranueshëm.
Në një konferencë për media në kryeqytetin rus, ai ka thënë se Serbia i është kundërvënë ashpër siç e ka quajtur ai secesionit dhe ndryshimit të njëanshëm të kufijve të saj dhe se për këtë gjithnjë ka pasur përkrahje parimore të Rusisë.
Jeremic ka shtuar se Rezoluta 1244 është i vetmi kuadër ligjor për gjetjen e një zgjidhjeje duke potencuar se çështja e pazgjidhur e, siç e ka quajtur ai Kosovës dhe Metohisë, është sfida më e madhe për Ballkanin Perëndimor.
Ndërkaq Lavrov ka thënë se për këtë duhet të kenë rol Kombet e Bashkuara.
“Karta e OKB’së dhe Rezoluta 1244 përbëjnë bazën e vetme legale ndërkombëtare për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. OKB në Kosovë ka mandatin e saj që duhet ta përmbushë’, ka thënë ai. Lavrov është marrë edhe me deklaratat e Ban Ki Moon, të cilat Sekretari i Përgjithshëm sipas tij i ka bërë në Kosovë gjatë kësaj jave në Kosovë.
Diplomati rus ka thënë se nuk e di nëse Ban është cituar mirë kur ka thënë se OKB nuk ka asnjë rol në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Unë do të nisesha megjithatë nga kjo se në OKB askush nuk e ka hequr përgjegjësinë rreth situatës në Kosovë dhe llogarisë se kolegët tanë nga New York’u janë në gjendje ta kuptojnë drejt se cili është mandati që e kanë marrë nga Këshilli i Sigurimit”, ka thënë ai Jeremic, ndërkaq ka thënë se sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën është i garantuar me Rezolutën 1244 dhe se derisa në KS të OKB’së nuk gjendet një zgjidhje tjetër, sipas Jeremic, nuk ka hapësirë për ndonjë ndryshim.
Ai ka paralajmëruar se edhe Qeveria e ardhshme e Serbisë do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive në mënyrë që të ndalë njohjet e mëtejme të pavarësisë së Kosovës. “Asnjë Qeveri e Serbisë nuk do ta njohë ndryshimin e kufirit të vendit tonë në mënyrë të dhunshme as ajo e tanishmja e as e ardhmja”.
Sipas tij, një marrëveshje mes palëve që do të arrihej do të duhej të konfirmohej edhe nga OKB. Jeremic në qershor është zgjedhur kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së . Ai ka thënë se do të përpiqet që me këtë organ të OKB’së të udhëheqë në mënyrë të balansuar duke arsyetuar në këtë mënyrë edhe besimin që i është dhënë Serbisë.
Lavrov ka thënë se Jeremic është kandidat i duhur për këtë pozitë. Duke komentuar rreth ditës së fundit në krye të diplomacisë serbe Jeremic ka thënë se dora e fatit e ka çuar pikërisht në ditë në Moskë, derisa ka thënë se deri më tani zyrtarisht 20 herë e ka takuar homologun e tij rus dhe se nga ai ka mësuar shumë në aspektin profesional.
E kur është pyetur se cila është këshilla që ka për pasardhësin e tij shefin e ri të diplomacisë serbe , Jeremic ka thënë se ministri i ri është profesionist në të cilin ka shumë besim dhe se nuk duhen këshilla për të.
“Kur është fjala për marrëdhëniet Serbi–Rusi një gjë të vetme për të cilën do ta kisha këshilluar është që t’i rifreskojë njohuritë historike”, ka thënë Jeremic.