E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohjet në proces

Kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj vazhdon të qëndrojë prapa deklaratës së tij se brenda këtij muaji pritet publikimi i tri deri katër njohje të reja për Kosovën. Ai ka thënë se ka informacione të sakat për së paku tri shtete të cilat kanë vendosur ta njohur shtetësinë e Kosovës, ndërkohë që ka thënë se publikim i atyre njohjeve varet nga vetë ato shtete që kanë marrë vendimin.

Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj nuk është tërhequr nga deklarata e tij të mëhershme se tri deri në katër vende të ndryshme të botës pritet ta publikojnë njohjen e tyre për Kosovën gjatë këtij muaji.

Gjatë konferencës për media pas takimit me homologun e tij nga Shqipëria, Edmond Panariti, të mërkurën, Hoxhaj ka thënë se nuk mund të flas për datë të saktë se kur do të ndodh publikimi atyre njohjeve.

Mirëpo, ka thënë se ka informacione të sakta për njohjet që do t`i vijnë Kosovë nga vendet që veç kanë marrë vendimin për këtë akt.

“Ministrat e punëve të jashtëm më së paku flet me muaj që do të ndodh kjo në këtë ditë ose në atë ditë e kam thanë që në fillim të vitit se Ministria e punëve të jashtme ka informatë që pesë vende kanë përmbyll procedurat për njohjen e Republikës së Kosovës nga këto pesë vende veç nuk e kanë bërë publik këto njohje”, ka thënë Hoxhaj.

Pothuajse të njëjtën deklaratë e kishte dhënë edhe në fillim të korrikut kur edhe paralajmëroi njohjet e reja.

“Ka edhe tri vende, katra, të cilat do të duhej që gjatë korrikut t’i bëjnë publike njohjet e Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi i dinë edhe emrat që unë i përmend dy muaj, tre muaj më herët. Kam informata sot prej vendeve që veç e kanë njohur Kosovën, por unë nuk e bëj asnjë shpallje pa mbërritur nota verbale në MPJ dhe nuk do të bëj asnjë shpallje pa e thirr Ministrin e Punëve të Jashtme me i thanë se kam dëgjuar se keni marrë vendim ta njihni Republikën e Kosovës - dua të falënderoj. Thotë po, e marrin notën verbale dhe përfundon”, kishte thënë Hoxhaj në një intervistë për Express.

Duke mbrojtur deklaratën e tij, të mërkurën Ministri ka thënë se flet vetëm në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës por jo edhe në emër të qeverive të tjera të pavarura.

Në emër të Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e fundit të këtij institucioni foli edhe Zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli, i cili është i ngarkuar me procesin e lobimit për Kosovën. Pacolli kishte prezantuar edhe një letër në të cilën tha se janë emrat e shteteve që do ta njohin Kosovën brenda korrikut.

E, përderisa dy përfaqësuesit e Ekzekutivit të vendit po vazhdojnë të proklamojnë njohjet brenda korrikut, këtij të fundit i kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë deri në përfundim.

Ministri Hoxhaj nuk ka folur asgjë rreth mundësisë së arritjes së njohjeve shtetërore deri në fund të këtij muaji duke thënë se ato nuk varen prej tij.

“Kam premtuar që do të punoj 15 orë dhe do të punoj përsëri 15 orë dhe unë e di që votat nuk përkthehen me fuqi politike, në asnjë vend të botës votat nuk fitohen me ministra të jashtëm. Prandaj çdo deklaratë që unë e bëjë është deklaratë shumë precize maksimale që ne e bëjmë si Ministri e punëve të jashtme”, ka thënë ministri Hoxhaj.

“ Me dëshirë unë do të kisha më shumë njohje se ju...”, shtoi ai krejt në fund.

Gjatë konferencës ndër të tjera dy ministrat shqiptarë, Hoxhaj dhe Panariti kanë cilësuar lartë bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha sferat duke e quajtur si një model për t’u ndjekur nga vendet e rafinonit.

Ministri Panariti ndër të tjera foli edhe për domosdoshmërinë e intensifikimit të procesit të njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, duke thënë se Shqipëria në koordinim me autoritetet e Kosovës, do të intensifikojë proceset diplomatike, për të bërë të mundur avansimin e procesit të njohjeve të reja për Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›