E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovës nuk i bën mirë mbikëqyrja e gjatë

Nga Express më 18 prill 2011 në ora 20:24

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë të hënën se Kosovës nuk i bën mirë që të ketë mbikëqyrja ndërkombëtare, sikur që është në Bosnjë dhe Hercegovinë apo diku tjetër, por ka thënë se për ta hequr nevojën për këtë mbikëqyrje, duhet të ketë ngritje të vazhdueshme të kapaciteteve vendore.

Procesi i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur sipas tij, nuk varet vetëm nga faktori vendor, por edhe nga rrethanat tjera. Kuçi ka theksuar se zhvillimi i përgjithshëm i Kosovës dhe rritja e kapaciteteve në Kosovë, e zvogëlon nevojën e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Unë mendoj që Kosovës i bën mirë t’i ngritë kapacitetet sa më shpejtë që mundet dhe në këtë drejtim i bën mirë po ashtu që mbikëqyrja ndërkombëtare të tërhiqet. Jo të tërhiqet bashkëpunimi me ndërkombëtarët, se ne do të kemi veprime të tilla, në veçanti me Komisionin Evropian për anëtarësim, por Kosova duhet ta ketë limitin e vetë për zhvillimin e vetë, por edhe bashkësia ndërkombëtare limitet e veta kohore. Kosovës nuk i bën mirë të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare aq gjatë sikur që është në Bosnje apo diku tjetër”, ka thënë Kuçi.

Sa i përket implementimit të Pakos së Ahtisarit, Kuçi ka thënë se faktori ndërkombëtar sa i përket kësaj çështje ka më shumë punë në veri, sesa në Prishtinë, ngase aty ku ka pasur autoritet Kosova, kjo pako është zbatuar qind për qind.

“Ata kanë më shumë punë në veri të Kosovës, sesa që kanë në Prishtinë. Unë i ftoj që të koncentrohen atje më shumë, t’i kryejnë edhe obligimet këtu. Por një konstatim duhet ta themi të gjithë, në pjesën ku Qeveria e Kosovës ka pasur autoritet të plotë, ku institucionet e Kosovës kanë pasur autoritet të plotë, Pakoja e Ahtisarit është respektuar qind për qind dhe këtu Kosova ka treguar që është shtet model dhe serioz, dhe i respekton marrëveshjet ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Për të dalë nga pavarësia e mbikëqyrur, Kuçi ka thënë se duhet të ngritën kapacitetet, të ndryshohet legjislacioni, në mënyrë që proporcionalisht aq sa ngritën kapacitetet të zvogëlohet mbikëqyrja ndërkombëtare.

Kjo sipas tij, nuk do të jetë pjesë e konfliktit mes faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar dhe se nuk do të ketë përplasje kompetencash, por plotësim të njëri-tjetrit. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›