Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, i rëndësishëm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti të hënën ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, i cili tha se vendi i tij do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në të gjitha fushat.
Duke e e ka përgëzuar presidenten për zgjedhjen e saj në këtë post, ambasadori britanik tha se është e një rëndësie të veçantë perspektiva e qartë evropianë për Kosovën dhe avancimi i saj, së bashku me vendet e tjera të rajonit, drejt anëtarësimit në BE. Ai tha se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është i rëndësishëm dhe se zgjidhja e problemeve praktike është jetike.
Presidentja Jahjaga e falënderoi ambasadorin britanik për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, duke vlerësuar atë si të rëndësishme, meqë Kosova ka nevojë për agjendë të qartë evropiane.
Presidentja tha se Kosovës i duhet vendosja e një marrëdhënieje kontraktuale me BE-në, mënyrë që të qartësohet e ardhmja e saj.
Ajo tha se Kosova po i kushton kujdes marrëdhënieve me shtetet fqinje, në mënyrë të veçantë marrëdhënieve me Serbinë, posaçërisht dialogut që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Presidentja tha se dialogu do të ketë sukses, meqë palët do të gjejnë vetëm zgjidhje evropiane që janë në interes të të dy popujve dhe të dyja vendeve.
Jahjaga priti një delegacion të Senatit të Francës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti të hënwn në takim një delegacion të Senatit Francez, të përbërë nga Marie-Theresa Bruguiere, Jean-François Humbert dhe Jean-Pierre Michele, që shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Francës në vendin tonë, Jean-François Fitou.
Senatorët francezë e përgëzuan presidenten Jahjaga për zgjedhjen në detyrën e rëndësishme të udhëheqëses së vendit. Ata i dëshiruan sukses në punën e saj dhe i ofruan bashkëpunim dhe ndihmën e Francës për Kosovën.
Ata theksuan se Franca dhe Kosova janë dy vende mike, me marrëdhënie shumë të mira në të gjitha fushat, të cilat do të intensifikohen edhe më tej.
Presidentja Atifete Jahjaga falënderoi mysafirët për vizitën dhe kujdesin e ndihmën e vazhdueshme që Republika e Francës ka dhënë dhe po jep për Republikën e Kosovës.
Ajo tha se Kosova ka synim integrimin në nismat rajonale, në institucionet ndërkombëtare dhe integrimin në institucionet euroatlantike, në ç’drejtim Franca mund të japë një ndihmë të konsiderueshme.
Sipas saj, për Kosovën është e rëndësishme krijimi i një marrëdhënieje kontraktuale me BE-në, me qëllim të qartësimit të së ardhmes evropiane të vendit.