Kryekuvendari Krasniqi viziton Holandën
Nga Express më 18 prill 2011 në ora 17:56
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Holandë.
Gjatë kësaj vizite, e cila do të zgjasë nga 20 deri më 24 prill 2011, kryekuvendari Krasniqi do të takohet me kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Holandës, Gerdi Verbeet, me Rene van der Linden, kryetar i Senatit të Holandës, si dhe me zyrtarë tjerë të lartë të institucioneve holandeze.
Gjatë vizitës kryetari Krasniqi do të shoqërohet nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe zëvendëskryetar i parë i Komisionit për Integrime Evropiane, Mehmet Hajrizi, shef i Kabinetit të kryekuvendarit dhe Skënder Reçica, këshilltar për protokoll dhe marrëdhënie ndërkombëtare.