E Shtunë, 31 Tetor 2026

I bashkojnë dëshmorët

Nga Express më 18 prill 2011 në ora 19:50

PDK e LDK janë bërë bashkë të hënën, me rastin e 18 Prillit - Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës. Udhëheqja e Komunës së Prishtinës dhe ish-komandanti i Zonës së Lllapit, tash nënkryetar i PDK-së, Rrustem Mustafa, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe Varrezat e Dëshmorëve në lagjen “Velania”, si dhe te shtatorja e Zahir Pajazitit.

“Është vlera më e madhe që ka Kosova, që ka kombi ynë dhe është vepra më e madhe sublime që njerëzit kanë mundur ta bëjnë për Kosovën”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, duke folur për dëshmorët.

“Ne sot takuam shumë familjarë të dëshmorëve, të ushtarëve të rënë të UÇK-së, kemi takuar po ashtu edhe komandantë të gjallë, të cilët kanë luftuar për Kosovën dhe së bashku jemi të interesuar që t’i kultivojmë maksimalisht këto vlera për këtë brez dhe brezat që vijnë”.

Mustafa ka folur edhe për rregullimin e Varrezave të Dëshmorëve.

“Faza e parë do të kryhet brenda 10 ditësh, pastaj do ta rregullojmë ambientin përreth varrezave, në mënyrë që të jetë sa më mirë i rregulluar, shumë tërheqës për qytetarët, për fëmijët dhe për të gjithë ata që dëshirojnë t’i nderojnë dëshmorët, ish-luftëtarët e të UÇK-së”, ka theksuar Mustafa.

Ai foli edhe për fillimin e ndërtimit të objektit kolektiv për strehimin e familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, ku do të sigurojnë banimin 50 familje. Ky projekt pritet të përfundojë gjatë vjeshtës së këtij vit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›