Qytetarët kanë qasje në imazhin satelitor të Prishtinës
Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se imazhi satelitor i qytetit, i vitit 2010, tani mund të shikohet në ueb-faqen e Komunës http://kk.rks-gov.net/prishtina/City-guide/Imazh-satelitor.aspx.
I angazhuar nga Komuna e Prishtinës, një grup teknik ka punuar disa javë që ky imazh të jetë i qasshëm për qytetarë në të gjithë kompjuterët.
Imazhin satelitor Komuna e Prishtinës e përdor në procesin e legalizimit të objekteve pa leje. Të gjithë të interesuarit mund të eksplorojnë këtë imazh satelitor për të parë gjendjen e ngrirë sa iu përket ndërtimeve në Prishtinë. Komuna e Prishtinës këtë imazh satelitor e shfrytëzon edhe për qëllime tjera, si për llogaritjen e metrave katrorë dhe etazhitetit të objekteve, si bazë për caktimin e Tatimit në Pronë dhe për qëllime tjera.
Me disa përllogaritje të përafërta, numri i objekteve në këtë imazh satelitor jep mundësinë që të dihet numri i banorëve të Prishtinës, numri i shfrytëzuesve të shërbimeve publike si ujë, energji, ngrohje, ndriçim publik, prodhimi i mbeturinave urbane etj, ka bërë të ditur Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Komunës.