E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë,takime mes zyrtarëve për sigurinë

Liderët institucionalë të Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramë Manaj, ministri i Jashtëm Skënder Hyseni dhe ministri i Punëve të Brendshme Zenun Pajaziti u takuan me udhëheqësit e mekanizmave të sigurisë për të diskutuar gjendjen e sigurisë në vend. Në këtë takim morën pjesë edhe shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, komandanti i KFOR-it, gjenerali Gai, zëvendësi i përfaqësuesit civil ndërkombëtar, Fletçer Barton, si dhe përfaqësuesit e policisë së EULEX-it. Në takim u konstatua se është më se e nevojshme që të vazhdojë koordinimi i plotë i të gjithë mekanizmave të sigurisë dhe institucioneve të Kosovës, në mënyrë që situata në veriun e vendit të mbahet nën kontroll dhe të parandalohen veprimet e atyre që kanë për qëllim destabilizimin dhe krijimin e tensioneve në vend. Pjesëmarrësit në takim po ashtu ranë dakort se reagimi i përbashkët i policisë së Kosovës, policisë së EULEX-it dhe forcave të KFOR-it ishte përgjigjje adekuate ndaj provokimeve për të nxitur tensione dhe destabilitet. Në takim gjithashtu u theksua se duhet të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme që provokimet dhe aktet e tilla në të ardhmen të parandalohen paraprakisht nëpërmjet koordinimit të veprimeve të të gjithë aktorëve në fushën e sigurisë. Siç bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate nga Presidenca kosovare, përfundimisht është përsëritur thirrja për të gjithë qytetarët e Kosovës që të përmbahen ndaj provokimeve që mund të vijnë nga ata që kanë për qëllim ndaljen e ecjes së Kosovës drejt proceseve të zhvillimit dhe perspektivës së gjithanshme. Gjithashtu në takim u theksua se të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe që synojnë të prishin rendin dhe qetësinë në Kosovë do të përballen me policinë e Kosovës, me policinë e EULEX-it dhe me forcat e KFOR-it, të cilat janë aty për sigurinë e të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›