Çekia, do mbështesë maksimalisht Kosovën

Ambasadorja çeke në Kosovë Janina Hrebickova deklaroi pas takimit me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, se Republika Çeke do ta intensifikojë mbështetjen për Kosovën, sidomos rreth njohjeve të reja dhe në procesin e stabilizim asociimit. Sipas ambasadores Hrebickova, vendi i saj do të punojë me përkushtim të madh për Kosovën. Çekia ka marrë kryesimin e radhës së Bashkimit Europian më 1 janar. Duke i shpalosur prioritetet e Pragës si udhëheqëse e BE-së, ajo veçoi tri fusha kryesore: ekonominë, energjinë dhe marrëdhëniet me jashtë. Po ashtu, ajo tha se qëllimi është që të lëvizet aq sa do të jetë e mundur në koordinim me vendet e Bashkimit Europian, në drejtim të aspiratave të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. "Përsa i përket Kosovës, ne do të vazhdojmë procesin e filluar para shumë vjetësh, ne do të monitorojmë kujdesshëm procesin përmes EULEX-it, i cili është misioni më i madh i BE-së në historinë e saj, dhe bashkë me institucionet e Kosovës dhe KFOR-in do të vazhdojmë të përballemi me sfidat, siç ishin ato në veri ditëve të fundit", vijoi ambasadorja Hrebickova. Ndërsa, presidenti Sejdiu theksoi se Republika Çeke ka qenë, është dhe do të mbetet mbështetëse e fuqishme e Kosovës. Sejdiu shfaqi besimin se Çekia, gjatë mandatit si udhëheqëse e BE-së, do të japë kontributin e saj në mbështetje të zhvillimit të proceseve që kanë të bëjnë me integrimin, si dhe për njohjen e Republikës së Kosovës edhe nga ato vende të BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë.