Kosovë,të shtëna armësh në Jarinje,disa të plagosur
Është tensionuar situata në afërsi të vendkalimit kufitar të Jarinjës, gjatë paradites të së martës, ku janë dëgjuar edhe të shtëna armësh. Për pasojë janë regjistruar edhe disa të plagosur, raporton agjensia e lajmeve Beta. Trupat e KFOR-it kanë përdorur gazin lotësjellës për të shpërndarë një grup serbësh që kundërshtonin mbylljen e rrugës alternative Kosovë-Serbi si dhe heqjen e barrikadave në afërsi të Jarinjes. serbët kanë hedhur gurë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it të cilët më pas kanë përdorur gazin lotsjellës për të mbajtur nën kontroll situatën. Njoftimet nga veriu bëjnë të ditur se situata vazhdon të mbetet e tensionuar ndërsa qindra serbë po qëndrojnë në afërsi të ushtarëve të KFOR-it që kanë arritur të heqin pjesërisht barrikadat në afërsi të portës 1 si dhe të mbyllin një rrugë alternative që lidh Kosovën me Serbinë. Zëdhënësi i KFOR-it, Ralf Adamek ka thënë se trupat paqëruajtëse do të vazhdojnë operacionin për mënjanimin e barrikadave nëse vlerësohet e nevojshme. Në kuadër të zhvillimeve më të fundit, edhe misioni i EULEX-it ka kërkuar që rrugët të lirohen për qarkullim. Zëdhënësi i KFOR-it, Ralf Adamek, ka konfirmuar se gjatë aksionit të së martës mëngjes janë ndaluar 5 persona, të cilët i janë dorëzuar policisë së EULEX-it dhe pas marrjes në pyetje janë liruar. 5 personat në fjalë kundërshtuan përpjekjet e këtyre forcave për heqjen e një barrikade në Jarinë. Zyrtari për informim i KFOR-it, Ralf Adamec ka bërë të ditur se pas heqjes së barrikadës në afërsi të Jarinës, “banorët lokalë ngritën barrikadën tjetër vetëm pesë metra më larg nga ajo që ishte larguar”.