Kosovë,zgjedhjet lokale,në fund të tetorit

Zgjedhjet lokale në Kosovë ka mundësi të mbahen në fund të muajit tetor, e jo më 17 nëntor, siç janë mbajtur deri më tani. Kështu është thënë pas disa takimeve që ka zhvilluar ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Verner Almhofer me partitë opozitare në vend. Lideri i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se për shkak të motit që mund të vështirësojë zhvillimin e zgjedhjeve do të ishte më e përshtatshme që ato të mbahen një muaj më herët. Mendim të njëjtë ka shprehur edhe kryetarja e Partisë Reformiste ORA Teuta Sahatçia. Gjithashtu, Sahatçia ka shprehur keqardhjen e saj për mosfunksionalizimin e plotë të KQZ-së. Nga ana tjetër, ambasadori Almhofer është shprehur i gatshëm të ndihmojë partitë politike në procesin e zgjedhjeve. Mirëpo, sipas tij, situata politike në Kosovë ka ndryshuar dhe për këtë OSBE-ja është e interesuar vetëm të ndihmojë KQZ-në në procesin e zgjedhjeve dhe jo edhe t'i organizojë ato. Ndërkohë që nuk është bërë ende e qartë nëse OSBE-ja do t'i monitorojë zgjedhjet lokale të këtij viti në Kosovë.