Prishtina përshëndet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Përfaqësuesit politikë të Kosovë përshëndesin anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën Veri atlantike, duke e cilësuar këtë si një ngjarje me rëndësi edhe për tërë rajonin. Ata shprehin bindjen se nga kjo ngjarje do të përfitojë edhe Kosova, siguria e së cilës tash e dhjetë vjet me radhë, garantohet nga forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja. "Konsiderojmë se inkuadrimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, është një fakt që tregon se në rajonin tonë po rritet niveli i sigurisë, dhe një gjë e tillë është në interes edhe të Kosovës dhe të qytetarëve të saj", tha kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Autoritetet shprehin bindjen se Kosova është në rrugë të mirë për të plotësuar kriteret për integrime në strukturat e NATO-s dhe të Bashkimit Europian. Në këtë kuadër kryeministri i vendit Hashim Thaçi është shprehur optimist me qëndrimin e komisionerit për zgjerim të Bashkimit Europian Oli Rehn, i cili ka kërkuar mbështetje për Kosovën në proceset e integrimeve europiane pavarësisht se jo të gjitha vendet anëtare të këtij bashkimi e kanë njohur shtetin e ri. Ndërkohë që edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka përgëzuar presidentin shqiptar Bamir Topi dhe kryeministrin Sali Berisha me rastin e nënshkrimit të dokumentit për aderimin e Shqipërisë në NATO."Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni të Ju përgëzoj për këtë ngjarje të madhe historike që sot po ndodh. Sot, të gjithë shqiptarët festojnë nënshkrimin e dokumentit për aderim të Shqipërisë në NATO. Kjo festë e madhe gjithashtu me krenari po festohet edhe nga shqiptarët e Maqedonisë. Ky sukses i Republikës së Shqipërisë është edhe sukses i të gjithë shqiptarëve. Anëtarësimi i Shqipërisë në familjen më të fuqishme evropiane, NATO-n edhe një herë vërteton se Republika e Shqipërisë ka kontribuar dhe do të kontribuojë për paqen, mirëqenien dhe stabilitetin e rajonit", thuhet në mesazhin drejtuar presidentit Topi.