Londër,protesta kundër G20

Përleshje të ashpra janë regjistruar në ambientet e jashtme të godinës së Bankës së Anglisë në qendër të Londrës, pasi mijëra demonstrues u grumbulluan për një tubim në prag të samitit të G20-ës. Samiti grumbullon së bashku liderë dhe shefat e financave të 20 vendeve më të industrializuara në botë dhe ka si objektiv parësor të diskutimit, cështjen e krizës globale. Agjencitë e lajmeve njoftuan se policia ka nisur një operacion të madh sigurie në Londër, ndërsa protestues anti-kapitalistë, ambjentalistë dhe protestues kundër luftës u mblodhen në qendër për një seri demonstratash rreth këtij samiti. Rrjetet televizive ndërkombëtare kanë transmetuar pamje të përleshjeve, ndërsa shihet se protestuesit janë përgjakur duke u përleshur me forcat e policisë. Sipas të dhënave zyrtare të paktën dy mijë e pesëqind oficerë policie shtesë janë thirrur për një operacion që vlerësohet se kushton më shumë se 10 milionë dollarë. Ndërkaq, shumë punonjës të sektorit financiar kanë shkuar në punë sot të veshur me veshje të zakonshme pasi bankat dhe institucionet e tjera i paralajmëruan ata se mund të ishin objekt i protestuesve. Nga autoritetet policore mësohet se janë arrestuar deri tani katër persona si të dyshuar se do të thyenin urdhërat e vendosura nga forcat e rendit. Edhe në zonën para Bankës së Skocisë, policia ka ndërmarrë tetë arrestime. Edhe me heret policia vendase kishte paralajmeruar se kryeqyteti britanik do të përballej me protesta të paprecedenta në prag te samitit. Por ishte thënë se ato janë për qëllime paqësore.