E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovrasti, kandidatura kryesore për kryetar të Këshillit Bashkiak

TIRANË- Mbledhja e parë e këshillit bashkiak të Tiranës, (që do të funksionojë për një mandat katër vjeçar), pritet të mbahet sot paradite. Mbledhja do të drejtohet nga këshilltari më i vjetër në moshë, republikani Maksim Begeja. Si pikë e rendit të ditës, në këtë mbledhje, është caktuar edhe votimi për zgjedhjen e kryetarit dhe zv-kryetarit të këshillit. Burime nga dy partitë e mëdha bënë me dije për gazetën “MAPO” se sot në garën për drejtimin e këshillit do të jenë Njazi Kosovrasi, kandidatura që do të propozohet nga këshilltarët e djathtë dhe Mimoza Hafizi nga të majtët, e cila nisur nga konfigurimi i ri i votave, ka pak gjasa që të fitojë. Për të parapërgatitur mbledhjen dhe konfirmuar kandidaturat, si për kryetar të Këshillit Bashkiak ashtu edhe për kreun e këshilltarëve të “Alancës për Qytetarin”, këshilltarët e këtij koalicioni u mblodhën dje në selinë e PD-së.

Votimi

Në mbledhjen e sotme do të zgjidhen edhe kryetarët e grupeve për secilin këshill bashkiak. Pra Këshilli Bashkiak i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” do të ketë kryetarin e saj ku më e lakuara si emër është ajo e Jorida Tabakut, ndërsa kandidati për kryetar i këshillit bashkiak të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, do të jetë Aldrin Dalipi. Këshilli bashkiak do të konstituohet sot pas vërtetimit të mandateve të anëtarëve të tij. “Aleanca për Qytetarin” përfaqësohet në këshill me 28 mandate ku 19 mandate i përkasin PD-së, 5 mandate LSI-së, 2 mandate PDIU-së, 1 mandat PR-së dhe PLL-ja me një mandat. Koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” përbëhet nga 25 mandate të PS-së, 1 mandat i PDS-së dhe 1 i PSV 91.

Funksionet e këshilltarëve

Pas verifikimit të mandateve nga komisioni përkatës, këshilltarët do të betohen përpara këshillit me formulën e mëposhtme: "Betohem, në emër të zgjedhësve që përfaqësoj, të mbroj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e saj. Betohem se në të gjithë veprimtarinë time do të udhëhiqem nga interesat e shtetasve të komunës ose bashkisë (emri i komunës ose bashkisë përkatëse) dhe do të punoj me ndershmëri e përkushtim për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies së tyre." Këshilltari që nuk pranon të bëjë dhe të nënshkruajë betimin, quhet se jep dorëheqjen dhe atij nuk i jepet mandati. Këshilli bashkiak krahas zgjedhjes së kryetarit dhe zëvendëskryetarit, pritet të emërojë edhe sekretarin. Ndërkohë, në një ditë tjetër të afërme është lënë që Këshilli Bashkiak të miratojë edhe strukturën organizative dhe rregulloren bazë të administratës së bashkisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›