E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kosta Barjaba kreu një akt spontan marksizmi”

11-01-2013 / Gazeta 55

Fokus/ Çështja Kosta Barjaba edhe në forumet virtual të opinioneve amerikane

Forumet virtuale të opinioneve amerikane kanë debatuar shumë rreth çështjes së vjedhjes së familjes “Bajraba” në Palo Alto të Kalifornisë. Diku me seriozitet, diku me shpoti dhe simpati qytetarët amerikanë debatojnë për rastin e paprecedentë të një akademiku shqiptar dhe dy anëtarë të familjes së tij që vjedhin rroba në një supermarket të Kalifornisë. 
Një qytetar amerikan me bindje antikomuniste i quajtur John Frum shkruan me shpoti në forumin http://thepeoplescube.com, sesi  “shoku, Kosta Barjaba, i cili ka një doktoraturë në Filozofi marksiste-leniniste të marrë në vitin 1989 në Shqipëri, kur komunizmi ishte ende i pastër dhe i egër është kapur nga policia në tentativën për rishpërndarë pasurinë në duart e tij sipas modelit kolektivist. Ai është ende një këshilltar i Partisë së shokëve në Shqipëri  (ose çfarë mbetet prej saj)”.
Një tjetër komentues, i cilësuar si  N. Climber, shkruan në këtë forum se me sa “Duket se shoku Profesor Kosta Barjaba është thjesht i angazhuar në një formë ‘kolektivizimi të pavarur’. Ai duhet të lirohet menjëherë, së bashku me marrjen e një letër apologjie (shfajësimi) nga policia për shkelje multi-kulturore të politikës së tyre. Sakaq, sipas tij, Socializmi ka kulturën dhe vlerat e sa (përvetësim të paligjshëm të pasurisë, kontrata kolektive, etj). Ndërsa të tjerë hedhin aluzione për një komplot imperialist në dëm të sociologut komunist Kosta Bajraba, i cili me aktin e tij po kryen një zbatim praktik të metodave komunistë të përvetësimit të pasurisë.  Një komentues tjetër ndërhyn duke cilësuar aktin e Barjabës si një ‘akt spontan marksizmi’”.
Në këtë forum gjenden detaje të aktit të shëmtuar të familjes Bajraba, ku Kosta e Fatbardha Barjaba, 52 vjeç dhe Joniada Barjaba, 23 vjeç janë ndaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vjedhje të disa rrobave dhe një çantë në qendrën tregtare “Stanford Shopping Center”, në Palo Alto të Kalifornisë. Këtë lajm e raportuan sajtet amerikane, Palo Alto Online News dhe Bay City Neës. Policia tha se ata kanë marrë disa artikuj në qendrën tregtare ‘Stanford’”, tha oficeri i Policisë, Sean Downey.
“Treshja ka hyrë në orët e para të pasdites dhe rojat e sigurisë kundër vjedhjeve i kanë thënë Policisë se familja kishte dalë nga qendra me një çantë që përmbante veshje burrash dhe ishin kthyer sërish brenda me atë çantë. Rojet e qendrës tregtare kanë parë se si një nga familja Barjaba vodhi një çantë ‘Coach’, me vlerë 238 dollarë. Ndërsa të dyshuarit po largoheshin nga qendra tregtare, rojet i ndaluan ata jashtë dhe u përpoqën t’i mbanin. Babai, Kosta Barjaba, më pas i ka hedhur objektet përsëri në dyqan dhe gruaja e tij ka vrapuar dhe është larguar, ndërsa rojet e qendrës tregtare arritën të ndalonin të bijën”, tha zëdhënësi Downey, për agjencinë e lajmeve “City Bay News”.
Zëdhënësi sqaron më tej se rreth orës 14:00, rojet kanë thirrur Policinë e Palo Alto-s, të cilët më pas kanë gjetur gruan dhe çantën e vjedhur jo shumë larg nga qendra e Nordstrom-it.
“Policia më pas ka marrë një telefonatë nga babai, i cili ka raportuar gruan dhe vajzën e tij si persona të humbur. Oficerët e kanë arrestuar babanë, pasi i janë përgjigjur telefonatës së tij. Tre të dyshuarit janë akuzuar me dy akuza vjedhjeje, një për çdo hyrje që kanë bërë në qendrën tregtare dhe një akuzë për konspiracion për të kryer vjedhje”, tha zëdhënësi i Policisë. Sipas mediave amerikane, tre të dyshuarit janë çuar në paraburgimin e San Mateos, në Maguire Correctional Facility, në qytetin Redwood dhe më pas janë liruar me garanci.
“Tre anëtarët e familjes Barjaba janë të regjistruar si qytetarë shqiptarë, por vajza e tyre ka një adresë në Stanford”, nënvizoi zëdhënësi i Policisë.
Zyrtari Brian Philip tha se Policia u njoftua nga personeli i qendrës tregtare dhe çështja i ka kaluar Prokurorisë. Mediat amerikane raportuan se Barjaba është qytetar dhe rezident në Shqipëri dhe pas ndalimit, bashkë me dy të afërmit e tij, do të përballem me akuzën e vjedhjes së kryer në bashkëpunim.
Sipas po të njëjtave burime meditike amerikane, Kosta Barjaba, së bashku me të shoqen dhe të bijën, janë liruar nga paraburgimi me kusht që të përballen me akuzën, pasi paguan garancinë.  Kosta Bajraba ishte Sekretar për Çështjet Sociale dhe Ndihmën Ekonomike në Partinë Socialiste, ndërsa Fatbardha Barjaba ishte anëtare e Asamblesë Kombëtare të PS-së, që prej nëntorit të 2011-s. Madje Barjaba ishte dhe zëdhënëse e këshilltarëve socialistë në këtë Këshill dhe mjaft aktive në mbledhjet e fundit të Këshillit Bashkiak kur janë diskutuar buxheti dhe projekti urbanistik i Tiranës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›