E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon PD/6 pyetje Edi Ramës, sqaro publikun për pallatin 5-katësh të Linda Bashës

11-01-2013 / Gazeta 55

Partia Demokratike kërkoi dje kryesocialisti, Edi Rama të bëjë transparencën para publikut të historikut të ndërtimit të një pallati në pronësi të bashkëshortes së tij, Lindita Basha.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi parashtroi 6 pyetje drejtuar kreut të PS, në lidhje me pasurinë e bashkëshortes së tij.
“Prej më se dy javë kryetari i Partisë Socialiste nuk përgjigjet për origjinën e 100 milionë lekëve të të shoqes Linda Basha të marra apo të dhëna kredi pa interes nga zonja Basha, por sipas deklaratës së saj në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit te Pasurive pa lëvizje në llogaritë bankare, jetime për sa i përket partnerit tjetër pa interes. Por, le t’i lëmë kohë z. Rama për të gatuar marrësin apo dhënësin e kredisë pa interes të bashkëshortes së tij. Ndërkohë ne po i japim mundësi z. Rama të sqarojë publikun për pallatin 5 katësh dhe një kat nën tokë me rreth 900 m katrorë sipërfaqe ndërtimi në rrugën ‘Qemal Guranjaku’, ndërtim i përfunduar në vitin 2010 pronë e familjes së bashkëshortes së z. Rama, Linda Basha. Partia Demokratike kërkon nga ju të sqaroni shqiptarët çështjet që vijojnë: Cili është historiku i vërtetë i këtij pallati? A keni qenë në konflikt interesi kur ju keni firmosur si kryetar bashkie lejen e ndërtimit të këtij pallati? Sa leje ndërtimi keni lëshuar për ndërtimin e këtij pallati? A janë respektuar kushtet ligjore urbanistike në sheshin e lejes së ndërtimit dhe ndërtimin e këtij pallati? Cilët janë investitorët dhe pronarët e këtij pallati? A ka histori paje në këtë pallat dhe në rast se po, sa është pjesa që ju dhe bashkëshortja juaj keni marrë si pajë? Urojmë z. Rama që të përgjigjesh më shpejt për këto pyetje, sesa për anonimin marrës apo dhënës  të kredisë pa interes të gruas suaj Lindita Basha”, deklaroi zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›