Gënjeshtra e PS, hajduti Barjaba funksionar i rëndësishëm i saj

Akademia politike e PS, konferencë shkencore me referues në panel Kosta Barjabën
Partia Socialiste u rropat gjerë e gjatë për tu distancuar nga një hajdut veshjesh në dyqanin e Nordstrom-it në Qendrën Tregtare “Stanford”, Kaliforni, por sërish mbeti në klasë. Kjo për faktin se s’mund të nxirrej lehtë nga “shtëpia” një prej themeluesve dhe hartuesve të programit elektoral, atë atij programi që kinse do u vinte në ndihmë shtresave sociale. Sot, jemi përpara një fakti të kryer; kryetari i grupit të punës për Çështjet Sociale, Kosta Barjaba dhe familja e tij, u arrestuan për vjedhje në tentativë dhe kjo s’është pak, për një figurë të projektuar për pozicione të larta hierarkike.
Këtu fillon dhe rrënimi i programit elektoral të Edi Ramës, pasi i ra si bumerang - gjithçka e artikuluar gjatë 4 viteve të fundit me qëllim ardhjen në pushtet, transparenca dhe “qeverisja me duar të pastra”. Ka patur zëra të ndryshëm nga politikanët, të cilët thonë se Barjaba u arrestua duke zbatuar programin e Rilindjes! Padyshim që kjo është fraza më e gjetur për xhepistin e Ramës, pasi as më shumë e as më pak, ai është një nga hartuesit e programit të Rilindjes... Tendenca e Partisë Socialiste për tu distancuar nga ai dhe për ta cilësuar si aktivist partiak dhe jo në nivele drejtuese, është një tjetër autogol për programin e Rilindjes. Si fillim, PS nuk e mohoi që Barjaba ishte ndër eksponentët e grupit të punës për Çështjet Sociale, por mohoi kontributin e tij 20 vjeçar, fakt të cilin e pohuar edhe vetë xhepisti, i cili përkundër, ka deklaruar gjithashtu se është ndër themeluesit e partisë që drejton sot Edi Rama. Dhe e vërteta kjo është.
Kosta Barjaba është po aq i rëndësishëm për PS, sa edhe Blendi Klosi, Ilir Beqja, Erjon Veliaj, Arben Malaj apo dhe Fatmir Xhafaj - hartuesit e programit elektoral, e quajtur rëndom si Rilindja e Ramës. Për ta përforcuar edhe më fort këtë argument, mjafton të sjellim të vëmendjen e opinionit publik konferencën shkencore të Akademisë Politike të PS. Ndër referuesit pjesëmarrës aty janë Pëllumb Xhufi, Servet Pëllumbi, Shkëlqim Cani, Mimi Kodheli, Arben Malaj, Ethem Ruka, Ilir Beqja, Namik Dokle..., dhe padyshim, edhe Kosta Barjaba. Këtu, PS humbet, bie bashkë me programin e saj të Rilindjes.