E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ne jemi ndryshimi - Përpara!”, slogani i PD për fitoren e 23 qershorit

11-01-2013 / Gazeta 55

Mblidhet kryesia e Partisë Demokratike, nis zyrtarisht puna për garën elektorale të 23 qershorit. Berisha: “Mazhoranca e sigurt drejt një mandati tjetër të merituar”. Koalicioni më i gjerë në historinë e pluralizmit, i cili shtrihet nga qendra e djathtë e deri tek qendra e majtë, pritet të triumfojë përballë dyshes Rama-Topi, vetmitarët e ndëshkuar të ndajnë virgjërinë politike në opozitë

Partia Demokratike do të zhvillojë fushatën elektorale, për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013-ë, nën sloganin “Ne jemi ndryshimi - Përpara!”
Kështu u shpreh dje kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së kryesisë së PD. Kreu i qeverisë shprehu besimin dhe bindjen e tij se PD dhe aleatët e saj, shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si fitues të një mandati të tretë qeverisës.
Njëkohësisht, duke pasur në fokus arritjet, pritshmëritë dhe hapat që do të hidhen për të mundësuar mandatin e tretë, Berisha vlerësoi maksimalisht koalicionin qeverisës, ku pjesë e saj është dhe LSI. Ky koalicion, sipas tij, bëri të mundur zhvillimin ekonomik, dhe realizimin e reformave kyçe në këtë drejtim. Por duke qëndruar në këtë çështje, kryeministri “thirrjet” e kryesocialistit për të ndërtuar një koalicion parazgjedhor, të cilin, siç tha Berisha, e kanë braktisur të gjithë dhe aleati i vetëm që duket në horizont, është Bamir Topi.
“Ne shkojmë drejt zgjedhjeve si koalicioni më i fuqishëm në historinë e vendit. Në zgjedhjet e vitit 2009-ë, PD dhe aleatët e saj dolën koalicioni i parë. Krijoi një koalicion me LSI-në dhe mendoj se ky koalicion ka funksionuar në përputhje të plotë me zotimet dhe angazhimet e tij para qytetarëve shqiptarë. Bëri të mundur, heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë. Realizoi një seri reformash të thella, të cilat, shpëtuan ekonominë shqiptare nga recensioni- garantuan rritjen ekonomike. Shqipëria në këtë 4 vjeçar ka pasur rritjen më të madhe ekonomike. Ky koalicion u shndërrua në një lokomotivë të heqjes së imunitetit dhe të të gjitha reformave të integrimit të vendit. Koalicioni është zgjeruar me PDK dhe po zhvillon tratativa me parti të tjera, mirëfilltaz me parti të qendrës së djathtë, por edhe me të qendrës së majtë, për tu paraqitur ashtu siç presin qytetarët shqiptarë në 23 qershor, koalicionin më të madh. Çfarë ndodh në kampin tjetër? Mosbesim dhe kaos i vërtetë, për të mos thënë dorëzim përpara ditës vendimtare të betejës. Thirrje këtij dhe atij; ‘aman bashkohemi’... A thua se të gjitha kanë preokupim karrigen e Edi Ramës. Sot i bën thirrje, dhe duket se i vetmi aleat që i ka mbetur, është Bamir Topi. Se ajo fjala që i tha Fatosi, mos u hiq si i virgjër, nuk do të thoshte se kanë fjetur në një shtrat, por siç e di ai, do të thotë se kanë ngrënë në një çanak te klubi i Ashikut. Pra, shkon në zgjedhje vetëm me njeriun i cili i nxori dhe zorrët nga gazi, Sokol Ballës kur i tha se, dhe president me ka bërë Berisha me zor. Por, le t’i lëmë në virgjinitetin dhe ç’virgjinitetin e tyre. Ne ecim pas çdo vote dhe në çdo skaj të vendit, drejt një fitoreje të sigurt në 2013-ë, për mandatin e tretë qeverisës. Ne ecim të sigurt drejt një fitoreje të sigurt, sepse këtë mandat, i cili në tërësinë e tij, në klimën e krizës së Europës, ekonomia shqiptare ruajti rritjen ekonomike. Të ardhurat buxhetore kanë njohur rritje progresive nga viti në vit. Buxheti i këtij viti është më i madhi në histori. Në këtë mandat, interesi madhor ishin, interesi personal i qytetarëve shqiptarë përmes investimeve në rrugë, ujësjellës dhe kanalizime. Ky është viti i fitores, viti i mandatit të tretë të forcës sonë politike, dhe mazhorancës aktuale. Qëllimi mbledhjes është hapja e përpjekjes së madhe të anëtarëve, mbështetësve, simpatizantëve, drejtuesve të fushatës elektorale për mandatin e tretë. Në këto zgjedhje slogani ynë do të jetë: ‘Ne jemi ndryshimi. Përpara!’. Me këtë ne do të hapim fushatën elektorale, fushatën e fitores së shkëlqyer të 23 qershorit 2013”, u shpreh Berisha. 
Kryeministri garantoi se zgjedhjet e qershorit do jenë të lira dhe të ndershme, ndërsa i bëri thirrje Partisë Socialiste të çlirohet nga komplekset dhe të mos bllokojë vendimmarrjen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Berisha theksoi se kuadri ligjor me të cilin do zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, është një produkt i përbashkët politik mes mazhorancës dhe opozitës dhe i miratuar në unanimitet.
“Shkojmë drejt 23 qershorit më të vendosur se kurrë për një proces të lirë dhe të ndershëm. Për një proces që të nderojnë vullnetin e lirë të çdo qytetari shqiptar. Kuadri i ri ligjor që u miratua me unanimitet, se trashëgimia e shkëlqyer, më duhet tu pohoj shqiptarëve se pavarësisht nga histeria primitive ‘hap kutitë’, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian, do të deklaronte në zyrën time se Shqipëria ka sistemin më të saktë në botë të numërimit të notave. Ky është standardi shqiptar i numërimit të votave. Dhe ky standard ka bërë që në dy zgjedhjet e fundit të japin rezultate autentike dhe të vërteta me vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Disa shenja paraprake nuk janë kaq premtuese sa i përket kundërshtarit. Ka një panik, i cili shprehet nga kthimi i filxhanit te kafja e Shefikatit, te bllokimi i KQZ-së, apo statistikat e Koços. Çdo njeri ka të drejtë të prodhojë statistikën që do, të kthejë apo të mos kthejë filxhanin, por nuk ka të drejtë të bllokojë KQZ-në kurrë. Ky komision voton për ti dhënë fund një problemi serioz që ka ekzistuar, atë të tejzgjatjes së procesit të numërimit. Amerika voton me 150 milionë dhe vjen problemi, mbarë bota e merr vesh në orët e para të mëngjesit se cili do jetë presidenti i ardhshëm i SHBA. Vonesat në nxjerrjen e rezultatit vinin si rezultat i pengesave burokratike, pasi numëroheshin vetëm në 66 QV. Pavarësisht nga cinizmi, emotiviteti, pavarësisht nga raporti përmbys i adrenalinës tek kundërshtari ynë, zgjedhjet do të përgatiten me seriozitetin më të madh dhe do jetë një proces i lirë dhe i ndershëm”, deklaroi më tej kreu i PD-së, kryemsitri Sali Berisha.
Ndërkaq, bashkimi kombëtar qëndron si një tjetër kryeçështje e axhendës së mazhorancës qeverisëse.
“Ideali i bashkimit kombëtar nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më i fortë se ai që u krijua në këtë 100 vjetor. Procesi i bashkimit të shqiptarëve është jetik për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe për të ardhmen e kombit shqiptar. Prandaj le të bashkohemi në me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Europën. Askush të mos shqetësohet nga ky proces. Ftoj çdo shqiptar që pas besimit tek zoti të rendisë besimin tek çështja e bashkimit, e cila mund të realizohet vetëm duke besuar fort. Ndaj PD e cila shpalli si yll polar çështjen kombëtare, dhe në këtë fushatë vjen e palëkundur nga besimi tek ky ideal, si kryesori në ndërtimin e së ardhmes së kombit shqiptar. Ky 100 vjetor ishte një frymëzim i madh për shqiptarët, për të shikuar përpara të vendosur, të udhëhequr nga ideali i bashkimit kombëtar, i bashkimit në Europë. Duke mbështetur fuqimisht këtë proces, duhet të deklarojmë haptas, ndonëse gjithnjë është interesi i parë, por kjo fushatë elektorale do zhvillohet në respekt të disa interesave të qytetarëve siç janë punësimi, arsimi, sistemi shëndetësor, shërbimet, furnizimi me ujë, Shqipëria superfuqi energjetike rajonale, pra do të jenë këto drejtimet të cilat ne do të ndjekim. Sa më shumë të realizojmë këto shtylla të programit, aq më përpara avancojmë qëllimin tonë të bashkimit kombëtar, të bashkimit me Europën. Dua tu rikujtoj një thënie të Vuk Drashkoviç, disa vite më parë tha: ‘lëri, mese do bashkohen ata, me shtigje dhish që lidhen me njëri tjetrin’... Por sot, shqiptarët kanë rrugën e kombit dhe së shpejti do kenë dhe hekurudhën e kombit. Aq sa ç’dukej e pamundur rruga, aq e pamundur duket sot hekurudha, por ne do na ndërtojmë”, u shpreh kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›