E Diel, 1 Nëntor 2026

Kostoja e Autostradës 440 milionë euro, ja si do gjenden fondet

SHKRUAN: Blerina Hoxha 04-03-2011 11:51

Sipas njoftimit për tender, të Agjencisë së Prokurimeve Publike thuhet se, fondi limit i ofruar për ndërtimin e kësaj vepre është 110 milionë euro. Përfundimi i punimeve për këtë projekt është parashikuar të jetë 18 muaj pas nënshkrimit të kontratës. Projekti i tunelit në autostradën Tiranë-Elbasan përmban dy tunele, një me gjatësi 2200 metra dhe një 560 metra. Ndërkohë kostoja totale e rrugës pritet të jetë rreth 440 milionë euro. Rreth 300 milionë euro për financimin e kësaj rruge do të merren nëpërmjet një kredie me Bankën islamike, ndërsa pjesa e mbetur do të shoqërohet me kredi nga banka të tjera dhe nga kontributet e buxhetit të shtetit. Ndryshe nga rruga e re Durrës-Kukës, e cila kaloi në një proces të gjatë debatesh dhe akuzash, në organet e Prokurorisë, për shkak se punimet nisën pa pasur një projekt zbatimi, për rrugën e Elbasanit projekti tashmë është gati qysh në fillim të vitit 2010. Edhe pse ky do të jetë një investim tepër i kushtueshëm i qeverisë, leverdishmëria ekonomike e kësaj rruge, për banorët e Tiranës, Elbasanit dhe të zonave ku do të kalojë kjo rrugë, do e justifikojë këtë çmim. Fakti që kjo rrugë do të kalojë në më shumë se gjysmën e sipërfaqes së saj në zonë urbane, do sjellë mundësi për zhvillim aktiviteti për banorët e zonave. Segmenti i parë prej 2,3 km, i cili është përfshirë në tender, kalon në zonë urbane, duke qenë kështu një impuls zhvillimi ekonomik për zonën. Autostrada Tiranë - Elbasan, e zgjedhur në trajektoren më të shkurtër të saj, ka një rëndësi kapitale për zhvillimin dhe fuqizimin ekonomik, jo vetëm të Elbasanit, por të vendit në tërësi. Kjo autostradë e shndërron Elbasanin në qytetin më të afërt, ose pothuaj në një pjesë integrale të metropolit shqiptar, Tiranës.

Autostrada, të dhënat teknike

Shpejtësia e projektimit është 100-120 km/h

Gjerësia e një vije kalimi është 3.75 m

Gjatësia e rrugës në mbushje 18.5 km

Gjatësia e rrugës në gërmim 17.4 km

Gjatësia totale e viadukteve 4.65 km

Gjatësia totale e tunelit për të dy tubat 4.3 km

Numri i mbikalimeve 7

Numri i nënkalimeve 4

Numri i viadukteve 21

Numri i kryqëzimeve në disnivel 3

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›