Tenderi për Tiranë- Elbasan, kompania greke “Aktor” favorite
Gara për ndërtimin e autostradës së re Tiranë-Elbasan ka hyrë në fazën finale. Ministri Olldashi tha se, garojnë 7 kompani nga 13 të pranuara. Mësohet se, kompania greke, Aktor është me favorite, për shkak se ka ofruar 54 % të fondit limit prej 110 mln euro
Tenderi për ndërtimin e rrugës së re Tiranë–Elbasan, me Tunel drejt përzgjedhjes së një fituesi. Dje Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, në një takim me median bëri me dije se, tenderi ka hyrë në fazën finale dhe se nga 13 kompani që janë pranuar, janë përzgjedhur shtatë për të vazhduar më tej. Mirëpo, sipas Olldashit, oferta më e ulët ka qenë 54 për qind e kostos totale, e cila ishte caktuar të ishte 14,5 miliardë lekë. Nga Televizioni Klan, mësohet se, ofertën më të mirë e ka dhënë firma greke “Aktor”, me 46 për qind më lirë, e cila mund të jetë edhe fituesja e tenderit. “Nuk presim të kemi vonesa, pasi gjithçka ka ecur mirë dhe brenda dy javësh do kemi fituesin e kësaj procedure”, tha Olldashi. “Aktor” është kompania më e madhe e ndërtimit të veprave dhe rrugëve në Greqi. E themeluar që në vitin 1950, ajo ka një eksperiencë mbi 60-vjeçare në industrinë e ndërtimit dhe zbatimit të projekteve të infrastrukturës. Është pjesë e grupit “El Aktor” dhe ka prezencë në 10 vende të botë. Nga 26 kompani që morën pjesë fillimisht në tenderin, e zhvilluar më datën 13 janar 2011, u përzgjodhën 13 kompani që përmbushnin të gjitha kërkesat dhe detyrimet e dokumentacionit ligjor të prokurimit, 7 prej të cilave kanë paraqitur oferta ekonomike. Ministri Olldashi e cilësoi procedurën tërësisht transparente dhe ndër të tjera shtoi se tender i hapur ka bërë të mundur që ofertat ekonomike të jenë shumë të mira. Ai tha se, kompanitë që kanë marrë pjesë në këtë procedurë kanë eksperiencë të gjatë në ndërtimin e tuneleve “Ajo që është për t’u theksuar është që procedura tërësisht transparente dhe tender i hapur ka bërë që ofertat ekonomike të jenë shumë të volitshme, që do të thotë që nga 15.4 miliardë, që ka qenë fondi limit për ndërtimin e tunelit, ofertat variojnë në një ulje që shkon nga 81% e vlerës, oferta më e lartë ekonomike, në 54% të vlerës që është edhe oferta më e ulët”. Procedura ka edhe disa hallka të fundit, përpara se të dalë fituesi. Në përputhje me ligjin, brenda një jave, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave duhet të bëjë verifikimin e fundit dhe justifikimin e ofertave që janë në vlerë më të ulët. Pas këtij afati janë shtatë ditë në dispozicion të çdo ankimi të mundshëm që mund të paraqitet. Ministri Olldashi nënvizoi faktin që deri tani procedura ka ecur tërësisht mbarë, kështu që nuk pritet të këtë vonesa ankimore, gjithsesi kjo mbetet një e drejtë e të gjitha kompanive pjesëmarrëse në këtë proces. “Përfundimisht brenda dy javësh do të kemi fituesin e kësaj procedure, që është më e rëndësishmja që zhvillohet momentalisht në infrastrukturën e vendit”, - tha Olldashi. Gjatë qershorit të kaluar, kryetari i bordit drejtues të kompanisë greke, Dimitris Koutras është takuar me Kryeministrin Sali Berisha. Gjatë takimit, Kryeministri e cilësoi të rëndësishme për biznesin dhe ekonominë shqiptare bashkëpunimin me një kompani të standardeve të larta, si kompania “Aktor”, ndaj i tërhoqi vëmendjen kryetarit të bordit, Koutras, për projektet e mundshme të bashkëpunimit si rrugën Tiranë-Elbasan, segmente të rrugës së Arbrit, Boshti i Jugut, zgjerimin e autostradës Milot-Shkodër dhe unazën e madhe të Tiranës, për të cilat kompania greke shprehu interesin e saj.
Disa nga kompanitë në garë
“Bechtel-Enka”, konsorcium turko-amerikan
“Alpine”, kompani austriake
“AHEC”, kompania greke
“Constructor“ kompania kroate
“Strabag” kompani austriake
“Aktor”, kompani greke
“Todini”, kompani italiane
Kush është kompania “Aktor”
Kompania “Aktor” është kompania më e madhe e ndërtimit të veprave dhe rrugëve në Greqi. E themeluar që në vitin 1950, ajo ka një eksperiencë mbi 60-vjeçare, në industrinë e ndërtimit dhe zbatimit të projekteve të infrastrukturës. Është pjesë e grupit “El Aktor” dhe ka prezencë në 10 vende të botës. Për vitin 2010, “Aktor” pati një xhiro vjetore prej 2,7 miliardë euro, është ndërtuesja e një prej akseve rrugore më moderne në Greqi. Bëhet fjalë për autostradën e Atikës me një gjatësi prej 65 kilometrash. Kjo autostradë është me 6 korsi, e pajisur me 32 mbikalime, disa tunele si dhe korsitë e emergjencës. Udhëtimi bëhet pa asnjë ndalesë dhe në kushte të larta sigurie. Autostrada u inaugurua në vitin 2004 dhe është një nyje lidhëse mes 30 bashkive. Teknikat rigoroze të ndërtimit të kësaj rruge, i kanë siguruar Greqisë një prej akseve më bashkëkohore në lëvizjen e automjeteve. Kompania “Aktor” gjithashtu, ka marrë pjesë edhe në ndërtimin e urës “Rio Andirio”, që lidh Greqinë kontinentale me atë ishullore, një prej veprave më të mëdha të infrastrukturës, ndërtuar në shtetin fqinj. Është një nga firmat më kryesore në ndërtimin e infrastrukturës për lojërat olimpike “Athinë 2004”, si dhe në ndërtimin dhe instalimin e qendrës elektronike të menaxhimit të metrosë së Athinës. Eksperienca e kompanisë “Aktor” shtrihet edhe në vende të tjera, si Kuvajti e Rumania, ku ajo ka ndërtuar disa akse rrugore kombëtare. “Aktor” ka të punësuar mbi 10 mijë persona, ndërsa renditet e 75-ta, ndër 225 kompanitë më të mira të sipërmarrjes botërore.