Kostumet tradicionale në ekspozitë fotografike
Ekspozita në Teatrin e Operës e Baletit u vizitua nga krerët më të lartë të shtetit - presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kryebashkiaku Lulzim Basha, ministrja Majlinda Bregu. Edhe në Durrës ekspozita është duke u vizituar nga qytetarët e shumtë.
Në 50 fotot e ekspozuara, autorët kanë përzgjedhur foto të kostumeve nga të gjitha trevat e Kosovës, por edhe nga ato të krahinave të ndryshme të Shqipërisë.
Fotografi nga Gjakova, Shkëlzen Rexha thotë se ekspozita është hapur më parë edhe në qytetet e Pogradecit, Korçës e Fierit, si dhe në qytezën arkeologjike të Apolonisë, ndërsa tani erdhi momenti edhe në qytetin e Durrësit dhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranën.
“Fotot janë pjesë e katalogut të përmbledhur në një libër të botuar nga Klubi letrar 'Gjon N. Kazazi' në Gjakovë me 170 foto, që u botua dy vjet më parë në Kosovë, dhe që janë paraqitur edhe në ekspozitat e hapura në qytete të Zvicrës, Suedisë, Austrisë, Maqedonisë dhe Gjermanisë”, shtoi Rexha, i cili që nga viti 1999 ka promovuar 16 ekspozita personale fotografike.
Modelet që kanë pozuar me veshjet tradicionale vijnë nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera ku jetojnë bashkëkombësit tanë, tha hulumtuesja e etnologjisë Borë Balaj, e cila është kujdesur për grumbullimin e veshjeve të hershme.
“Ne kemi hulumtuar veshje të cilat shpeshherë kanë një moshë prej 150-200 vjet dhe përbëjnë vlera të veçanta për larminë e traditës dhe kulturës sonë kombëtare", u shpreh ajo, duke shtuar se kjo ekspozitë është një tjetër provë e kulturës materiale të përbashkët të hapësirave tona. Gjatë mbrëmjes së përurimit, disa modele sfiluan me kostume shqiptare, ndërsa fotografët e pranishëm patën mundësinë të fiksojnë edhe një herë elementët e traditës popullore. Fotografitë janë realizuar në Gjakovë, Prizren, Gjirokastër, Berat, Fier, Shkodër, Gllogjan, Junik, Isniq, etj.