Kouchner: Beogradi dhe Prishtina duhet të gjejnë zgjidhjen
Shefi i diplomacisë franceze, Bernard Kouchner ka deklaruar se hyrja e Serbisë në Bashkimin Evropian nuk do të kushtëzohet me njohjen e Kosovës - mirëpo ka shtuar se Beogradi dhe Prishtina duhet ta gjejnë zgjidhjen. Ai po ashtu ka thënë se të gjitha vendet e Ballkanit kanë perspektivë evropiane, në mesin e tyre edhe Kosova."Beogradi dhe Prishtina duhet të gjejnë zgjidhjen, e cila - para se gjithash - është në interes të këtyre dy vendeve, sikur dhe për mbarë rajonin. Sa na takon neve, nuk do t'i kursejmë përpjekjet, që në këtë drejtim të arrihet rezultati. Duhet vazhduar me përparimin në drejtim të perspektives evropiane dhe duhet punuar për paqe dhe pajtim. Është në interes të Serbisë të ecën përpara, bashkë me fqinjët e saj", ka thënë Kouchner në një intervistë për gazetën "Veçernje Novosti".Ministri francez po ashtu ka thënë se është e rëndësishme që pushteti i Serbisë dhe ai i Kosovës janë pajtuar të bashkëpunojnë me misionin EULEX. "Kjo ishte kyçe për shtrirjen e misionit evropian në tërë territorin e Kosovës. Pushteti kosovar asnjëherë nuk ka kundërshtuar shtrirjen e EULEX-it, përkundër rezervave që ka pasur ndaj planit gjashtëpikësh. Misioni EULEX është shtrirë më 9 dhjetor dhe tashmë po punon në të mirë të të gjithë banorëve të Kosovës", ka thënë Kouchner.