Kova fiton bastin me Canaj

Të dy trajnerët, si vlonjati Agim Canaj i Vllaznisë ashtu dhe kroati i Flamurtarit, Slavko Kovacic deklaruan fitoren e ekipeve të tyre përpara se të përballeshin në fushën e mejdanit, por fati i buzëqeshi ndihmësit të ish-trajnerit të Oto Baricit.
Për ta bërë më të bukur fitoren e dytë sezonale të Flamurtarit mendoi kroati Mate Brajkovic me golin e tij në minutën e 25-të, i cili i dhuroi Flamurtarit – përfundoi takimin me dhjetë lojtarë - fitoren e ngushtë 1-0, por dhe i shkaktoi humbjen e parë sezonale fituesve në fuqi të Kupës së Shqipërisë.
Kjo ishte fitorja e dytë e vlonjatëve pas asaj me Besën në Kavajë (0-1), një trepikësh pas dy humbjeve me Elbasanin (në shtëpi, 0-1) e Lushnjën në transfertë (2-1), e që nuk e shijoi dot nga tribuna "VIP" e stadiumit "Flamurtari" kryetari i Bashkisë e njëherësh presidenti i klubit, Shpëtim Gjika.
Flamurtari i braktisur nga tifozët e shumtë e nisi me shumë i impenjuar takimin, por vetëm në minutën e 25-të e gjeti golin, falë nuhatjes së kroatit Brajkovic, i cili shënoi golin e parë të tij sezonal, por dhe të gjashtin me fanellën e Flamurtarit, përfshirë edhe pesë golat e sezonit të kaluar.
Trajneri Canaj u ndje i sërish i zhgënjyer nga loja e ganezit të "cuditshëm" Mohamed (gjyqtari Jareci e fali një ndërhyrjen e protestën e tij), e më pas zëvendësoi edhe golashënuesin më të mirë të momentit Paulin Dhembi duke futur në fushë të riun Shtubina në të 41'.
Thuajse në të njëjtin moment edhe Kovacic hodhi në fushë mesfushorin e kombëtares U-21, Ilirjan Caushaj në vend të Hair Zeqirit, ndërsa në minutë më pas, në të 43' Brajkovic goditi traversën, por topi i kthyer nga shtylla nuk u shfrytëzua nga Taulant Kuqi, i cili pati një rast të artë për të mposhtur për herë të dytë portierin veteran shkodran Armir Grima. Sfera përfundoi paksa mbi shtyllën horizontale.
Në të 45'+2, Galica nuk mundi të shtynte në rrjetë një top thuajse mbi vijën e portës, teksa ka shtangur nga prania e lojtarit të Vllaznisë, malaziasi Marko Bashic. Një rast "tolerance" i shkodranit të Flamurtarit. Sinani në 52' pati një mundësi të mirë, por golashënuesi më i mirë i sezonit të fundit nuk mundi të realizojë.
Loja e trajnerëve për zëvendësime në të njëjtën kohë vazhdoi: në të 65' Kovacic futi Denis Memën (10 gola sezoin e kaluar) në vend të Galicë (humbi shumë raste në këtë takim), ndërkohë që Canaj futi Raboshtën në vend të Docit në minutën e 47-të.
Loja pati edhe momente acarimi, kur pas kartonit të dytë të verdhë të Begaj në të 85', e rrjedhimisht të kuq, gjyqtari ndërkombëtar Sokol Jareci u sha në korr nga tifozët vlonjatë. Fundi i takimit pati kohë edhe për një ndërrim taktik të Kovës, kur kroati hodhi në fushë Beqirin në vend të Eleandro Pemës.
Përfundimisht ishte një bast i fituar nga Kovacic, që regjistroi fitoren e 41-të historike të Flamurtarit kundrejt 63 të Vllaznisë në 135 ndeshje, ndërsa Brajkovic realizoi golin e 135-të të vlonjatëve kundrejt 228 të shkodranëve.
FLAMURTARI-VLLAZNIA
Shënues: Brajkovic 25'
Stadiumi "Flamurtari", Vlorë
20.09.2008, Ora 16:00
Gjyqtar: Sokol Jareci (Tiranë)
Bilanci: 135 ndeshje; 41 fitore Flamurtari, 31 barazime, 63 fitore Vllaznia. Golat: 145-228
Fitorja e fundit e Flamurtarit: 1-0, 20.09.2008
Barazimi i fundit: 2-2, 17.02.2008
Fitorja e fundit e Vllaznisë: 2-0, 29.03.2008
RENDITJA SUPERLIGA
Java III
Skuadra P
1.Tirana 10
2.Shkumbini 9
3.Vllaznia 7
4.Elbasani 7
5.Flamurtari 6
6.Dinamo 5
7.Apolonia 4
8.Besa 4
9.Partizani 3
10.Lushnja 3
11.Teuta 1
12.Bylis 0