Kozmi e Pakult, dueli i fundit për Kombëtaren Trajneri me “kapele”, Serse Kozmi, ish-tekniku i Udinezes, Peruxhias e Breshias, aktualisht i papunë. Emra të fortë mbeten edhe austriaku Peter Pakult e kroati Ilija Lonçareviç.

Artan Bushati drejtoi Kombëtaren “emergjente” në barazimin 3-3 me Milanin e madh, por më 6 qershor, kur Shqipëria do të ndeshet me Portugalinë për eliminatoret e Botërorit në bankinën kuqezi do të jetë një emër tjetër.
Pas refuzimit të Branko Ivankoviçit e dështimit të ashtuquajturit “samit i Vjenës”, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pritet që fundjavë të përzgjedhë seleksionerin e ri të përfaqësueses kuqezezë.
Trajneri me “kapele”, Serse Kozmi, ish-tekniku i Udinezes, Peruxhias e Breshias, aktualisht i papunë, i është shtuar listës për të pasuar në bankinën kuqezi holandezin Ari Han, të shkarkuar pas rezultateve të varfra në shtatë ndeshjet e para të eliminatoreve të Kampionatit Botëror (7 ndeshje, 6 pikë).
Emra të fortë mbeten edhe austriaku Peter Pakult e kroati Ilija Lonçareviç.
Sipas burimeve pranë FSHF-së, Pakult, i cili drejton aktualisht Rapidin e Vjenës, ka pranuar në parim kërkesat financiare të federatës dhe kushtin e saj për të qëndruar gjatë në Shqipëri.
Në favor të tij flet edhe një fakt tjetër, avokati shqiptaro-austriak me banim në Vjenë, Skënder Fani, një mik i njohur i Dukës e futbollit shqiptar, dhe për më tepër ai ka qenë i pranishëm si në prezantimin e Oto Baricit ashtu dhe të Ari Hanit-
Fani vjen të premten në Tiranë, e kështu që me shumë mundësi, emri i trajnerit të ri do të bëhet publik në fundjavë.
E reja e fundit nga FSHF-ja është zgjedhja e sekretarit të ri. Ky është Eduard Prodani, një emër i njohur në botën e menaxhimit dhe me disa specializime në Shtetet e Bashkuara.
Prodani është sekretari i katërt në presidencën shtatëvjeçare të Dukës, pas Sulejman Starovës, Roland Micit e Arben Bicit, të tre të vetëdorëhequr me vullnetin e tyre.
E Enjte, 14 Maj 2009