Vila, një Torres i ri te Atletiko e Madridit?Agjenti i ish-klubit të Fernando Torresit ishte i pranishëm në “Qemal Stafa” dhe mbeti i mahnitur nga performanca e Vilës e për më tepër nga gjakftohtësia e realizimit të golit të parë të Shqipërisë

Dymbëdhjeta duket se është numri i fatit për Emiljano Vilën: më 12 mars sulmuesi i Teutës mbushi 21 vjeç, më 12 maj kundër Milanit shënoi golin e parë me fanellën e Kombëtares shqiptare, në kampionatin e këtij viti në 31 javët e deritanishme ka shënuar 12 gola, ku spikasin tre dopjeta, ato kundër të tre ekipeve kryeqytetase, Tiranës, Partizanit e Dinamos.
Por 12 maji, mund të shndërrohet për Emiljano Vilën edhe dita nga mund të nisin edhe tratativat për transferimin e tij të bujshëm drejt klubit të kryeqytetit spanjoll, Atletiko e Madridit.
Agjenti i ish-klubit të Fernando Torresit ishte i pranishëm në “Qemal Stafa” dhe mbeti i mahnitur nga performanca e Vilës (të futur në pjesën e dytë nga tekniku Artan Bushati), e për më tepër nga gjakftohtësia e realizimit të golit të parë të Shqipërisë në barazimin 3-3 me Milanin, por dhe nga realizimi perfekt më pas nga gjuajtjet e 11-metershave (Milani fitoi 5-4 dhe trofeun “Taçi Oil”).
Sipas asaj që raporton prestigjiozja shqiptare “Panorama Sport”, së shpejti do të nisin edhe kontaktet zyrtare midis lojtarit
të Kombëtares U-21 dhe klubit spanjoll. Sipas gazetës në fjalë, në “Qemal Stafa” ka qenë edhe një menaxher i një skuadre tjetër spanjolle, por i interesuar për Jahmir Hykën e Franc Veliun.
E Enjte, 14 Maj 2009