E Diel, 1 Nëntor 2026

Prodani, sekretari i ri i FSHF. A do të mbijetojë?44-vjeçari Prodani është sekretari i katërt brenda shtatë vjetësh në presidencën e Armand Dukës, pas Sulejman Starovës, Roland Micit e Arben Bicit, të tre të vetëdorëhequr me vullnetin e tyre.

Eduard Prodani, një ish-zëvendësministër i Ministrisë së Transporteve (2001-2002), u prezantua zyrtarisht si sekretari ri i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, duke zënë në këtë mënyrë vendin e lënë bosh nga Arben Bici, të dorëhequr para pak ditësh për motive krejtësisht personale. 

Prodani, i diplomuar për inxhinieri ndërtimesh civile e industriale e me një sërë specializimesh jashtë shtetit mbi institucionet financiare e administrim biznesi, deklaroi gjatë prezantimit të tij frazën formale se “vlerat e para të punës së tij do të shihen vetëm në sezonin e ardhshëm futbollistik (2009-2010)”.

“Përshtypjet e para të mia për Federaten Shqiptare të Futbollit janë që ajo është një organizëm krejt modern, nga pikëpamja e konceptimit të rolit dhe mënyrës se si funksionon sekretari i përgjithshëm", -  tha 44-vjeçari Prodani, i cili është sekretari i katërt brenda shtatë vjetësh në presidencën e Armand Dukës, pas Sulejman Starovës, Roland Micit e Arben Bicit, të tre të vetëdorëhequr me vullnetin e tyre.

Prodani është një njohës i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare pasi ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në komisionin e Bashkimit Europian për infrastrukturën. Projektet e mëdha të FSHF-së financohen shpesh nga FIFA e UEFA, dhe një ndër to është edhe pajisja me ndriçime disa stadiumeve shqiptare në Durrës, Korçë, Vlorë, Kavajë e Elbasan.

I vetmi kuriozitet që mbetet për t’u parë do të jetë jetëgjatësia e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Transporteve, pasi një nga paraardhësit e tij, avokati impulsiv e reformator Roland Mici, mbijetoi vetëm 1 vit në ambientet e selisë së futbollit shqiptar, pasi u shfaq më shumë sesa agresiv në selinë e topkëmbës shqiptare.

E Enjte, 14 Maj 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›