E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krahasimi i sforcuar i Ramës me zgjedhjet në SHBA

Ashtu sicc ndodh shpesh në krahasimet e zgjedhura nga Edi Rama për të futur në rrjedhë ambiciet e tij për të ardhur në pushtet, edhe kësaj radhe krahasimi i fundit me fitoren e Obamës është jo vetëm i sforcuar, por edhe absurd. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje në një dalje për median, tha fjalë për fjalë si më poshtë: “Era e madhe e ndryshimit që filloi të fryjë dje në SHBA, pa asnjë dyshim do të fillojë të fryjë qershorin e ardhshëm edhe në Shqipëri, kur shqiptarët do t’i japin Sali Berishës dhe oborrtarëve të tij shuplakën e merituar për 4 vjet premtime të pambajtura dhe dështime të padurueshme”.

Pra, Edi Rama supozon drejtpërsëdrejti se meqenëse ndryshoi Presidenca në SHBA, nga republikanët te demokratët, edhe në Shqipëri qeverisja do të zhvendoset nga demokratët (pra republikanët) te socialistët (demokratët).

Edhe nëse Edi Rama vjen në pushtet në qershorin e vitit të ardhshëm, ai nuk vjen për shkak të ndryshimit të qeverisjes në SHBA, pra nuk vjen për shkak të kurrfarë ndikimi që këto zgjedhje kanë mbi politikat botërore, e rrjedhimisht edhe në politikat shqiptare, aq sa mund të kenë apo mund të heqim paralele.

“Era e madhe e ndryshimit që filloi të fryjë në Amerikë” është krejt ndryshe nga ajo erë ndryshimesh që mund të prodhojë fushata elektorale në Shqipëri. Amerika ka avancuar në perceptimin e saj social dhe racor, duke i dhënë një goditje të madhe globale racizmit dhe duke vënë në plan të parë shanset e barabarta për të gjithë, me zgjedhjen e një afro-amerikani në krye të vendit më të fuqishëm të botës. Edi Rama nuk ka pse zgjedh këtë paralele, pasi vetë ai, nëse vjen në pushtet, nuk kap majat për shkak të përkatësisë së tij racore. Ai nuk është minoritet racor në vend, pra as rom, as egjiptian, a diçka e ngjashme që e diferencon në racë. Ai besohet se nuk është edhe minoritet seksual, pra as homo, biseksual, por nuk është as minoritet social, si invalid apo diçka tjetër e ngjashme me të.

U desh një sforcim elektoral i paparë herë tjetër në Amerikë, për të konfirmuar demokracinë e thellë të këtij vendi. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte më e madhe në 40-50 vitet e fundit. Në Shqipëri ka pasur vetëm një herë në këto 18 vite tranzicion, një sforcim të tillë elektoral, ai i vitit 1992, kur dolën në votime mbi 70 për qind e votuesve dhe 60 për qind e tyre votuan Partinë Demokratike, si simbol të ndryshimeve deri në sistem dhe strukturë. Në ‘97 kur erdhi në pushtet PS, jo vetëm nuk kishte sforcim elektoral, por votuan më pak se gjysma dhe në shumë zona të vendit votimet u bënë pa kandidatë rivalë. Në substancë, gati e njëjta gjë u përsërit edhe në vitin 2001, po ashtu nuk pati ndonjë sforcim për t’u mbajtur mend edhe në zgjedhjet e 2005-s. Partia Demokratike u rikthye në pushtet me një model hapjeje të partisë ndaj mendimit të lirë dhe grupeve të interesit, që gjithsesi nuk përbën ndonjë kapërcim cilësor në perceptimet e shqiptarëve.

A ka ndonjë lidhje slogani i Ramës për bashkim përtej partive me sloganin e Obamës për ndryshimet? Nuk ka kurrfarë lidhje, të paktën konceptuale, por edhe për nga zbatueshmëria. Nuk ka lidhje për shkak se bashkimi përtej partive në SHBA kërkohet pas përfundimit të zgjedhjeve dhe shpalljes së fituesit. Pra, gjatë fushatës nuk cenohet, nuk dëmtohet dhe as nuk luftohet diversiteti politik. Përkundrazi, ai përbën frymëzim për garuesit dhe për të gjithë mbështetësit e secilit. Diversiteti, ideja politike e ndryshme prej tjetrit është krenari dhe motiv në një vend të lirë, për t’i shërbyer vetes dhe vendit. Por pas përfundimit të fushatës kërkohet kombinim i këtyre diversiteteve apo “bashkëpunim”, siç u shpreh në fjalimet mbyllëse Mekejn dhe Obama, për të pasur një qeverisje të të gjithëve.

Sot ka shumë pak njerëz në Shqipëri që artikulojnë bashkim të madh për një interes të madh, që i përkufizuar sipas Ramës, është largimi i Berishës nga pushteti apo thënë në pezhorativ, ardhja e Ramës në pushtet. Për një bashkim të të gjithëve dëgjon të flasin vetëm disa prej atyre që në vitin 1990 kanë qenë pak më shumë se 50 vjeç dhe iu bie që sot më i riu ndër ta të jetë afër 70-ve. I vetmi përjashtim është Edi Rama, që në 1990 ka qenë më i ri se 50 vjeç, e sot natyrisht është më pak se 70 vjeç.

Është e çuditshme që Edi Rama, politikan dhe administrator, më shumë se produkt i aftësisë së tij për të drejtuar, është produkt i aftësisë së tij për të prodhuar diversitet. Nuk kuptohet se pse ai e lufton kaq shumë dhe ditë për ditë, dhe gjithnjë në fshatra e asnjëherë në qytete, “mëmën” që e lindi, diversitetin.

Po a është i ndryshëm Edi Rama nga vitet e tranzicionit dhe a është ai ndryshimi që duhet dhe për të cilin duhet të ndërtojmë tek vetja vullnetin e votuesve amerikanë, për të përmbysur njëherë e përgjithmonë një klishe, po themi të përmbysim tranzicionin. Edi Rama është vetë tranzicioni. Ka dhjetë vjet që drejton. 2 vjet ministër dhe 8 vjet kryetar i Bashkisë së Tiranës, ky i fundit një post alternativ i Kryeministrit të vendit, në të gjitha rastet e pushtetit, edhe kur qeveris PS, edhe kur qeveris PD.

Natyrisht që çdo vend ka një ditë kur rregullat nuk përmbushin vullnetet, kur infrastruktura nuk përballon modelet e menaxhimit, kur niveli i demokracisë së institucioneve është në nivelin e demokracisë që prodhohet jashtë tyre dhe situata duhet të kapërcehet, por jo për shkak të një rregulli që e kemi mësuar në zbor në vitet e diktaturës, ashtu si edhe Edi Rama që e përdor tani, “në fillim njeriu, pastaj armët”. As njërën as tjetrën, pra as Edi Ramën (njeriun), për të sjellë ndryshim dhe as ndryshimin (arma) për të sjellë Edi Ramën.

Obama është rrjedhim i nevojës për të shkuar më tej në demokracinë amerikane dhe për të reflektuar mbi demokracitë botërore. Natyrisht është njeriu i përgatitur për rastin. Ndërsa krahasimi i përdorur nga Rama ngjan shumë me krenarinë e zogut mbi kokën e antilopës, por kësaj radhe edhe më keq, duke përmbysur imazhin, ku duket se antilopa mbahet te zogu.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›