OPINION/ Eunukëzimi prej krimit pa ndëshkim
Nuk ka emër tjetër ajo që ndodhi në Kuvend: krimi që nuk ndëshkohet poshtëron jo vetëm qeverisjen, jo vetëm deputetët, jo vetëm votuesit dhe opozitën, por gjithë shoqërinë, sepse “jemi ne që e kemi votuar”!
Seanca e mocionit “Fazlliç” provoi në mënyrë vulgare dhe arrogante se krimi i pandëshkuar shtetëror, më pas i pajisur me pushtet të pakufizuar e të pakontrollueshëm mund të guxojë të trajtojë mbarë opinionin publik si një eunuk”, madje ca më keq, si një eunuk të debilizuar që mund të keqpërdoret, të dehet e pastaj të shfytyrohet me gënjeshtra dhe mashtrime, duke na tundur herë pas here kërcënueshëm gishtin tregues përpara ekranit: guxoni e mos na besoni këtej e tutje, o shqiptarë të mjerë!
Tallje me shumicë, poshtërim, cinizëm dhe leqendisje, harbutëri dhe delir, arrogancë dhe karfosje, ja ç’na u server nga “seanca Fazlliç”, duke na parë qeveritarët drejt e në sy, si ai hajduti që pasi të ka vjedhur shtëpinë, të zë për fyti e të kërcënon: guxo të më denoncosh! E gjithë kjo shpëlarje e dhunshme e truve me shifra, me premtime e suksese të pafundme e të paqena, e gjithë kjo gërrnajë me agjitprop bajat, tekefundit synon të shkojë deri në një eunukëzim të plotë të arsyes qytetare si dhe të motivimit të votuesve për ndonjë ndryshim të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme! Kjo theqafje e rropamë morale, në një tjetër kurth-pusi, këtej e tutje, mezi po e pret mbarë shoqërinë shqiptare për ta eunukëzuar edhe më!
***
Jo, kësaj here nuk është aspak fajtor Berisha. Nuk ka faj as që ka urdhëruar sejmenët mediatikë, deputetë e ministra, të mos e përmendin fare Fazlliçin, të mos përgjigjen, po të përdorin “taktikën” buzëqeshëse të Bashës i cili, në vend që të përgjigjet para Drejtësisë për akuzat, ka kurajën dhe paturpësinë e mjaftueshme të numërojë shifra, përqindje, rrugë, miliarda të kursyera, suksese dhe deklarata të ndërkombëtarëve, edhe pse vetë është pa imunitet dhe numri dy i korrupsionit qeveritar! Kjo taktikë u përdor në seancën ‘Fazlliç’. Përsëritja dhe stërlodhja me shifra që nuk provohen kurrë nëse ekzistojnë, trullosin me sa duket, opinionin publik, i cili nuk e di dhe nuk ka asnjë mundësi të provojë tërë atë hemorragji përqindjesh, miliardash dhe suksesesh që dëgjuam për orë të tëra nga goja e kryeministrit! Fukarai i shkretë, teksa dëgjon këtë llapaqenëri të paparë e të paturpshme, mendon: ndoshta vetëm unë jetoj keq, se prapa malit po bëhen autostrada dhe njerëzit andej vërtet janë të lumtur! Mos po i bie pa të drejtë më qafë Salës?
Duhet pranuar: Berisha tashmë ka absolutisht të drejtë të tallet e të poshtërojë kësisoj opinionin publik, pasi, sipas tij, është shoqëria shqiptare ajo që, pasi ka ngrënë dhe pasi ka shijuar gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij publike në 2005-ën e ka votuar, e ka sjellë “me votë të lirë dhe demokratike” në pushtet! A ishit ju që më dhatë pushtetin? A besuat ju se jam unë, Sali Berisha që, si një kone po më vjen prapa historia, ai që ka duar të pastra, ai që do të luftojë e do të shkulë nga rrënjët korrupsionin dhe krimin në vendin më të kriminalizuar të rruzullit? Tani rrini e dëgjoni sa të lumtur ju kam bërë e që për këtë shkak, nuk e dini sa të mjerë jini! Seanca “Fazlliç” këmbënguli të eksperimentonte se, nëse ende ka njerëz që u pëlqen të ushqehen me gënjeshtra, që pranojnë të dehen nga mashtrimet, përse të mos ua japim përsëri votuesve tanë me shumicë këtë drogë që nuk gatuhet në plantacionet e Lazaratit, po në zyrat lazaratase të kryeministrisë? Kur patëm sukses në opozitë, përse të mos gënjejmë edhe ca më shumë tani që kemi në duar pushtet të pakufizuar, shumicë në Kuvend, media të blera me para të thata dhe troje, kemi madje edhe ndërkombëtarë të përfshirë në tendera, kemi fonde, spote, podiume, altoparlantë, servilë, troje dhe privatizime!?
Në seancën “Fazlliç” akuzat e opozitës nuk poshtëruan vetëm Berishën dhe klanin e tij, po na bënë me baltë të gjithëve, mbarë shoqërinë, derisa rrimë e dëgjojmë dhe mbajmë mbi krye një të tillë Gërdec-kryeministër, i cili ka guximin të mos pranojë të përgjigjet as kur bën makabritete dhe paudhësira që kurrë më parë nuk i ka dëgjuar shqiptari, aq më pak bota! Jo vetëm nga detyrimi kushtetues kryeministri nuk mund të heshtë për akuza të tilla të rënda, (fakti që heshti, provon se akuzat janë tërësisht të vërteta!), po ai është i detyruar të përgjigjet edhe për dyshime më të vogla që lidhen me punën dhe me funksionin e tij! Heshtja e tij skandaloze mjafton për t’u bindur sa të mjerë jemi ne si shoqëri, që kemi një të tillë kryeministër!
Para ca kohësh, për një akuzë të paprovuar ende nga Drejtësia, kryeministri izraelit dha dorëheqje dhe vendi do të hyjë në zgjedhje të parakohshme… Kështu ndodh në çdo shoqëri normale, natyrisht ende të paeunukëzuar nga politika saligërdecare. Në Danimarkë, para disa vitesh po fitonte zgjedhjet një kryetar partie, por ai dha dorëheqjen pasi një polic rrugor në pension e kishte njohur nga televizioni dhe e kishte denoncuar: kandidati për kryeministër nuk kishte pas treguar gjatë fushatës se ishte ndaluar nga policia kur ishte i ri, pasi e pat ngarë makinën i dehur…Këtë, ai nuk e kishte pas treguar në fushatë…Logjika e do që kur një kryeministër gënjen për një gjë kaq “të vogël”, pse të mos gënjejë dhe mashtrojë për interesa më të mëdha? Kur një njeri vjedh në autobus portofolin e një pensionisti, pse të mos vjedhë miliona euro kur i jepet mundësia?
Në këtë rast është opinioni publik që nuk të lë të mashtrosh! Kurse tek ne, Berisha dhe agjitpropi i tij e quajnë opinionin publik të currufjepsur e të gatshëm të ushqehet me hemorragjinë e shifrave, përqindjeve, gënjeshtrave, shpifjeve! Teksa opinioni publik në shfaqjen “Fazlliç” në fakt u konsiderua si publiku i “Portokallisë”, edhe Drejtësia shqiptare, me sa duket, ka qenë e ka mbetur tërësisht e paralizuar. Drejtësia ka faj historik që nuk e ka ndëshkuar këtë zullumqar kronik,këtë udhëheqës të papërgjegjshëm, i cili si president i Republikës shkaktoi rropamën e pashembullt të 97-ës, si opozitar dogji kryeministrinë, ndërsa si kryeministër hodhi në erë Gërdecin dhe bëri mik me kokë Fazlliçin! Tani po na bën të gjithëve budallenj, të djathtë e të majtë, të varur e të pavarur! Nuk paska gjë më rreziksjellëse e më të ndyrë se një krim shtetëror i pandëshkuar, i cili, për shkak të mosndëshkimit, jo vetëm që riciklohet dhe vjen në pushtet, po merr yrrysh dhe bën modelin e ndershmërisë e të moralit pa pikë skrupulli! Qytetarit anonim nuk i mbetet gjë tjetër, veç të heshtë e t’i nënshtrohet të keqes që buron nga lart, medemek nga zgjedhja, d.m.th, nga vota e tij!
Jo i jep fuqi dhe mundësi kryeministrit tonë lavdimadh i sukseseve që të poshtërojë jo vetëm ministrat dhe deputetët e tij që i përdor, si e ka për adet, si dylberë politikë, as vetëm opozitën, që e nëpërkëmb si një shërbyese të pabindur, po edhe ndërkombëtarët! Në fjalën e tij maratonë, sipas fjalëve të tij, personalitetet dhe institucionet më prestigjioze të botës qenkëshin fort të lumtur që ai, më në fund, kishte ardhur në pushtet, që ai dhe vetëm ai mund të bënte reforma çudibërëse; se ai dhe vetëm ai mund të luftonte krimin dhe korrupsionin; se ai mund të bënte zap bandat dhe kriminelët të cilët, para ardhjes së tij në pushtet luanin futboll me koka të prera nëpër stadiumet e Shqipërisë; se është ai “dhe qeveria ime” që kanë realizuar një rritje ekonomike me dy shifra, arritje e paparë në Europë; se ai dhe vetëm ai mundi të transformojë Shqipërinë nga një gërmadhë e krimit dhe korrupsionit të ngritur në sistem, në një kantier etj, etj!...Pra, jo vetëm shqiptarët, po edhe burrat më të shquar të botës janë ngazëllyer nga sukseset e Berishës!
Arroganca dhe vetëngopja shembullore e kryeministrit nuk ngurroi të poshtëronte edhe aspiratën tonë për në NATO, Bankën Botërore dhe Transparency International, të cilët, sipas tij, qenkëshin fort të lumtur nga arritjet e tij, ndaj (prej meritave të tij, pra!), ata po na anëtarësojnë në NATO dhe po na liberalizojnë vizat për në BE! Edhe Presidenti Bush erdhi në Tiranë prej sukseseve të tij, ndryshe ai nuk do të vinte! Prej reformave berishiane Bushi premtoi Pavarësinë e Kosovës edhe futjen në NATO, prej sukseseve të tij kancelarja Merkel qenka mrekulluar që priti Berishën në Berlin me një gëzim të parrëfyer, ashtu si Berluskoni, Sarkozi, kryeministri kanadez, japonez, madje edhe ai i Luksemburgut! ....Pra, për Berishën në pushtet nuk është i lumtur vetëm populli, po edhe burrat e mëdhenj të botës, si dhe FMN, NATO, BB, IT që kanë pasur fatin të takohen me të!
Parë me këtë sy, mocioni “Fazlliç” pati një të mirë: provoi se si një njeri me pushtet të pakufizuar mund të eunukëzojë (shqip:të tredhë) opinionin publik, pozitën dhe opozitën, institucionet e pavarura, një pjesë të mediave dhe të shoqërisë civile; mund të paralizojë Drejtësinë, madje mund të tredhë edhe gjykimin e një pjese të ndërkombëtarëve të akredituar në Tiranë Prandaj, këta, në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve lipset t’u bëjnë me dije udhëheqësve e kancelarive të tyre se në Shqipëri ka një kryeministër që edhe një dhënie dore në ndonjë korridor e privatizon, ashtu si futjen në NATO; edhe kur ata dëshmojnë dashuri për Shqipërinë, edhe kur bëjnë ndonjë deklaratë inkurajimi, edhe kur presin në takim kryeministrin për hir të Shqipërisë, ky sa vjen këtu, e transmeton shtrëngimin e dorës si një sukses të tij, si dashuri të liderëve botërorë për të, gjë që nënkupton se ata mezi presin që Berisha të jetë përjetësisht në pushtet!
Shembulli i ambasadorit John Withers në Tiranë, me sa duket, provon se ky ambasador influent e ka kuptuar se vetëm ndërhyrja “jo diplomatike” e ndërkombëtarëve mund të na shpëtojë nga një eunukëzim i mëtujejmë! Fakti që Berisha është i vetmi lider nga Ballkani që nuk u ftua në Shtëpinë e Bardhë, si dhe mosdhënia e ftesës për të as për në Konventën e republikanëve, e dëshmon më së qarti këtë!
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)