E Shtunë, 31 Tetor 2026

Realiteti, përgjigjja ime ndaj mashtrimeve të opozitës

Për fat të keq, fletërrufetë politike janë shndërruar në model të debatit për të gjitha zhvillimet në vend nga ana e kolegëve opozitarë. Unë do të flas për zhvillimet në bujqësi, por po shoh të përsëritet ajo që dy javë më parë më ndodhi në një debat në televizionin publik me dy të mandatuarit e opozitës socialiste aty. Ata nuk ishin deputetë, ishin ekspertët opozitarë për bujqësinë, por vetëm për bujqësinë nuk thanë asnjë fjalë në dy orë debat. Të njëjtën gjë bëjnë këtu deputetët e opozitës për të gjitha çështjet që shtrohen në debat. Pra, urdhri politik është i qartë: “Mashtroni, zhurmoni, devijoni nga thelbi i arritjeve dhe zhvillimeve, sepse aty nuk kemi çfarë themi dhe kthejeni çdo debat në akuza e dacibao me theks politik”.

Ju mund të mbroheni duke thënë se edhe ne në opozitë kemi ngritur akuza ndaj jush. Po, e vërtetë. Por ne kemi ngritur ndaj jush akuza të faktuara, akuza që ministrave dhe deputeteve tuaj ua faktuat dhe ju në mbledhjen e njohur të KPD-së. Ne vërtet ju kemi akuzuar për tragjeditë në det, por këtë nuk e kemi lidhur me varfërinë dhe emigracionin. Kemi bërë akuza se skafistët ishin njerëzit tuaj, njerëz me lidhje në qeveri dhe në Parlament dhe ata nuk ndaloheshin e nuk arrestoheshin kurrë. Ne kemi akuzuar sepse të rrezikuarit lëshonin sinjalin SOS për ndihmë dhe strukturat e shtetit pengonin masat për shpëtimin e jetëve të tyre. Për këto nuk ju kemi akuzuar vetëm ne, keni akuzuar dhe ju njëri-tjetrin. Ne nuk ju akuzuam pse vendosët taksë speciale dhe mblodhët fonde për rrugën Durrës-Morinë, sepse nuk e urrenim këtë udhë si disa prej jush, por sepse i mblodhët dhe i zhdukët fondet. Ne kemi akuzuar për deformimet e rënda urbanistike në Tiranë apo për përmbytjen e saj, por këtë e kemi bërë me komision parlamentar dhe dosja është në organet e hetimit. Ne kemi akuzuar për lidhje të faktorëve politikë në mazhorancën tuaj të djeshme me krimin dhe këtë jua faktuam kur brenda vitit të parë të qeverisjes sonë, qindra prej tyre përfunduan në bangat e të akuzuarve, dhe kjo, vetëm e vetëm se ra mbështetja politike e tyre.

Tre vjet me parë, kur morëm përsipër detyrat dhe përgjegjësitë për zhvillimin e bujqësisë, gjëja e vetme me të cilën mburreshit dhe mburreni ende dhe vajtoni përditë që nuk e keni më në dorë, ishte nafta pa akcizë. Nafta me të cilën i patët “bërë naftën” në tërësi bujqësisë. Asnjë litër për fermerët, disa qindra mijëra litra në xhepat e pushtetarëve qendrorë dhe lokalë. Me tufat e tollonave joshnit njerëzit e pushtetit, partiakët lokalë, joshnit median etj. Disa prej tyre na tregojnë dhe tani si u vinit në dorë blloqet me tollona nafte të destinuara gjoja për fermerët.

E analizuam atëherë me urgjencë situatën e abuzimeve dhe një dosje të plotë me akuza konkrete e dërguam në organet e hetimit. Atje gjendet ende, por me paratë e vjedhura nuk është vështirë ta zvargësh hetimin. Me paratë e projekteve të bujqësisë kishit blerë deri dhe fabrika për të zhveshur orizin, kishit mashtruar jo pak biznese, duke u shitur linja teknologjike me çmime dy herë më të larta se tregu dhe duke ndarë paratë dhe asnjë kontratë nuk figuronte e lidhur për rreth 14 milionë dollarë të shpërndarë. Dhe këtu çështjet gjyqësore kanë qenë njëra pas tjetrës.

Çfarë bëmë ne në këto tri vite për këto dy çështje? Hartuam gjithë kontratat me përfituesit. Ndërtuam me VKM gjithë procedurën e marrëdhënies me përfituesit dhe afatet e vjeljes së fondeve dhe vetëm në këtë vit kemi arritur të mbledhim rreth 4 milionë dollarë që do të riinvestohen po në bujqësi.

E ndërpremë skemën abuzive dhe jo efiçente të gjoja shpërndarjes së tollonave të naftës dhe nisëm me fonde të dyfishuara skemën e re, të modelit evropian për mbështetjen e fermerëve. Në vitin 2007 me 5 milionë dollarë, në 2008-ën me rreth 11 milionë dollarë dhe po kaq e pak më tepër për vitin që sapo po programojmë. Çfarë kemi bërë me këto para? Nxitëm krijimin e vreshtave, pemëtoreve dhe ullishtave të reja. Po rezultati? Në tri vite kemi shtuar 3 milionë rrënjë pemë të reja frutore, pra 1 milionë në çdo vit, ndërkohë që në 5 vite pararendëse të qeverisjes së majtë ishin shtuar vetëm 0.3 milionë në secilin vit, tri herë më pak në mesataren vjetore. Në tre vjet janë mbjellë 1 milion rrënjë ullinj, ndërkohë që në 5 vitet pararendëse ishin mbjellë vetëm 0.6 milionë ose një mesatare vjetore tri herë më e vogël. Është shtuar në tri vite me mbi 2000 ha sipërfaqja e mbjellë me vreshta.

Paguam në dy vite ndryshimin e impianteve nga përdorim nafte në përdorim solari në të gjitha serat e vendit me ngrohje si dhe futëm skemen e furnizimit me solar pa akcizë, ndërkohë që në skemat e reja të vitit 2009 po programojmë mbështetje edhe për serat diellore. Shkoni në Fushë-Krujë dhe në Durrës dhe pyesni socialistët tuaj që menaxhojnë sera dhe shihni si do t’ju thonë, sepse janë socialistë por janë punëtorë, ndërkohë që ju e keni ngushtuar rrethin tuaj të mendimit dhe opinionit socialist tek disa djem të pabeve të Tiranës.

Këtë vit futëm konceptin e pagesave për të reduktuar interesat e kredive në sistemin bankar, për biznese të agro-industrisë dhe me gjithë vështirësitë në sistemin bankar, me dhjetëra kredi mbi 30 deri në 50 milionë janë përfituar për të ngritur kapacitete frigoriferike, kapacitete përpunuese, thertore etj. Mbështetëm trajtimin me kimikate për mbrojtjen e ullirit nga dëmtuesit dhe të gjithë kanë mundësi të konstatojnë rezultatet shumë të mira që u arritën në këtë vit në prodhim dhe në pastërti të ullirit. Vetëm këtë vit është mbështetur ujitja me pika në 94 ha me pemëtore intensive dhe janë mbështetur financiarisht rreth 190 fermerë që mbarështojnë në fermat e tyre mbi 10 krerë lopë qumështi dhe 115 të tjerë që kanë mbi 100 krerë të imta.

Në fushën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet janë bërë ndryshime themelore. Me mjetet mekanike të kullimit dhe me naftën e dërguar gjoja për fermerët, ministrat tuaj kanë ndërtuar blloqe me vreshta e pemëtore private. Ne përmirësuam menaxhimin. Përqendruam mjetet dhe fondet, përcaktuam qartë prioritetet. Lezha nuk përmbytet më, sepse ndërtuam atje një lumë të ri, zgjeruam në parametrat e duhur rreth 25 km në shtratin e Drinit. Dy lumenj të rinj po ndërtojmë në Myzeqe, Emisarin e Madh të Myzeqesë në Lushnjë, i cili nuk kishte njohur rikonstruksion që nga viti 1978 dhe kolektorin e madh të Fierit mbi të cilin nuk ishte vënë më dorë qysh nga ndërtimi i tij në vitet 1960. Dy vepra gjigande më shumë se 30-40 metër gjerësi, nga 30 km gjatësi secila, do të sjellin përmirësime thelbësore në kullim në dhjetëra mijëra ha në fushat kryesore të vendit tonë. Kush ka sy dhe nuk ha inat, nuk fle me mullixhiun për inat të askujt, mund të shkojë t’i shohë konkretisht për të bindur veten, pa fermerët atje i shohin vetë.

Në tre vite, ne gjithashtu me investime që kapin vlerën e rreth 5.2 miliardë lekëve, kemi rehabilituar sistemin e ujitjes në 26 mijë ha, me strukturimin e digave të 35 rezervuarëve, kemi përmirësuar ujitjen në 12 mijë ha të tjera, ndërkohë që është rehabilituar sistemi i kullimit në 22 mijë ha. Të gjitha këto jo thjeshtë pastrime kanalesh, por kanale të betonuara, që verifikohen në terren e në dokumente dhe nuk janë të zhdukura si ato investimet tuaja pa nam e nishan.

Në tre vite, ne realizuam përmirësime të ndjeshme në standardet e sigurisë ushqimore. Kontrolli i prodhimit dhe importeve është ndjeshëm më i përmirësuar. Ligji i ri i ushqimit dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) që do të fillojë nga puna në pranverën e vitit që vjen, rreth dy vjet para afatit të parashikuar, janë ecje e sigurt drejt standardeve evropiane. Kemi vendosur barazi në treg. Askush nuk ka në dorë monopolin e importit të ushqimeve, dukuria më e rëndë dhe më goditëse nën qeverisjen e majtë. Biznesi i ushqimit ka dalë nga duart monopoliste të shtetit. Nuk janë më ministrat tuaj që kontrollonin deri dhe tregun e të ushqyerit, duke ia nënshtruar tregun vendas importeve deri dhe të turshive, të prasit apo të lakrës dhe duke rrënuar prodhimin e vendit. Sot pas reformës rregullatore në të gjithë sektorët, edhe në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit kanë rënë të gjitha lejet dhe licencat, për të cilat biznesi tregon jo pak histori rozë të kohës suaj.

Me fonde buxhetore po realizojmë për herë të parë matrikullimin e plotë në blegtori. Janë bërë përmirësime të mëdha në kontrollin e sëmundjeve në blegtori, dhe vitin tjetër fillojnë programet e BE-së në këtë drejtim për të gjurmuar dhe mbyllur këtë kapitull të errët në blegtori dhe në prodhimet që vijnë prej saj.

Investime të rëndësishme publike dhe private janë adresuar tek marketingu i prodhimeve bujqësore dhe kjo ka sjellë efekte jo vetëm në furnizimin e tregut vendas, në një balancim të mirë të kërkesë-ofertës dhe nivelit të çmimeve, por dhe një rritje me mbi 25 për qind në vit të eksporteve, duke pasur jo pak vështirësi në përballimin e sfidave që bujqësisë vendase i sjellin marrëveshjet e tregtisë së lirë që janë tashmë në zbatim.

Kryetari juaj i opozitës ka filluar sërish nëpër Shqipëri të flasë për bujqësinë. Ai po ndjek gjurmët e mia. Nga shkoj unë, ai më ndjek pas. Unë shkoj dhe përuroj kanal vaditës në Kukër të Gramshit dhe ai shkon pas meje dhe bën me fermerët atje lloqe Kavaje bri kanalit.

Unë mbështes dhe financoj në komunën e Bushatit në Shkodër dhe ndërtoj mbi 90 km kanale të betonuara, ai shkon atje dhe mohon kanalin bri të cilit ecën, mbi urat e të cilit rri. Vetëm e ngushëlloj opozitën që ka humbur rrugën.

*Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›