Krahasimi ndërmjet dy PS-ve me tipare joeuropiane
Qëndrimi i sinqertë ndaj përvetësimit të të sjellurit dhe të qendrimeve sociale-politike dhe frymëzimit pluralist në përgjithësi, te ne çalon. “Është i vështirë”, për ta thënë më butë. Dhe krahasimi bëhet i vetvetishëm, po të kemi parasysh vendet perëndimore. Për ta bërë më të kthjellët mendimin: le të vëzhgojmë, në këtë pamje, demokracitë euro-atlantike. Dhe jo vetëm në aspektin etik e social, por në politikë, veçanërisht.
Le ta fillojmë këqyrjen në partitë e majta, jashtë suazës së BE-së . Parti të majta ka kudo në Europë dhe përtej saj. Madje edhe parti të emërtuara socialiste. Parti me këtë emër kemi edhe në Serbi, edhe në Shqipëri. Këto të dyja, nuk është e vështirë të diferencohen nga majtizmi euroatlantik.
PS-ja serbe është e prejardhur nga Jugosllavia e Titos dhe e Rankoviçit, por jo me mendësinë pluraliste të disidentit Milovan Gjilas, ish-numrit 2 të këtij shteti, që më vonë kishte deklaruar se është një iluzion të besosh se “mund të jesh njëkohësisht edhe komunist, edhe një njeri i lirë” (“Fytyra e totalitarizmit”, botim shqip, f. 65). Pas Titos, partia socialiste serbe kaloi në dorën e Mira Markoviçit, gruas së Sllobodan Milosheviçit. Me fjalë të tjera kjo lloj PS-je ishte e Milosheviçit, gjer kur ky përfundoi në Gjyqin e Hagës, si kriminel lufte. Para se Milosheviçi të vdiste nga vdekje natyrale dhe të varrosej me nderime të mëdha nga një popull i indoktrinuar, kemi një episod politik vërtet interesant: Në zgjedhjet parlamentare kur Sllobodani ishte ende në burg, ishte konkurruese edhe PS-ja serbe e cila pati një rënie të theksuar pas luftës së humbur të 1999-s; por, megjithatë, pati një elektorat prej 30 % - sh. Jo pak, po të kemi parasysh se gjatë luftës së ’99-s, kishte qenë shkaktarja politike e konfliktit, paçka se Perëndimi dhe NATO bënë çmos që të gjenin një gjuhë të përbashkët me Millosheviçin. Veçse më e çuditshmja nuk është se ajo doli në arenën zgjedhore pa e ndryshuar asfare emrin e saj, por se kandidaturën e kishte edhe Sllobodan Milosheviçi, tashmë i burgosur si kriminel luftë, i cili u zgjodh deputet!
Para pak rreshtash folëm për “popull të indoktrinuar” dhe do të dëshiroja të mos keqkuptohem. Më duhet të sqaroj se në historiografinë e re flitet edhe për faj kolektiv, në kundërshtim me aksiomatikën e mëparshme të historianëve, se populli s’është kurrë fajtor dhe fajësia u përket kurdoherë udhëheqësve të tij. Vetëm se dukuritë që sapo u përmendën dëshmojnë të kundërtën.
Kokëfortësia e Milosheviçit në negociata, - në kohën kur më shumë se gjysma e popullit të Kosovës u shfaros mizorisht nga trupat e Milosheviçit dhe nga bandat paramilitare të Arkanit, - ishte ekzemplare. Mjafton të shohim kundërthënien e qartë se nga njëra anë Kosova mëtohej të ishte serbe, madje djepi i Serbisë dhe, nga ana tjetër, ushtria serbe bënte shkrumb e hi banesat e kosovarëve, të cilët mezi gjenin rrugën me një gjel plaçkash në kurriz dhe me anëtarët e familjes që kishin mundur të dilnin gjallë nga ky holokaust i paparë pas Luftës II Botërore, mezi mundën të dilnin jashtë kufijve të Kosovës, pra, kur mundeshin të fshiheshin pyjeve para rrugës së mundimeve të mërgimit. Nëse Kosova do të trajtohej si serbe, atëherë ku është parë në historinë e shteteve, që një shtet të djegë shtëpitë e qytetarëve të tij dhe të masakrojë bashkështetasit e vet!
Në këtë katastrofë njerëzore, ku 9/10-at e popullsisë kosovare (me pasaportë serbe), u detyruan të braktisnin “vendin e tyre”, kuptohet që Millosheviçi dhe kriminelët e tij me grada e pa grada, e kishin të humbur luftën. Në këtë krizë serbe nuk qenë të pakët politikanët e rinj, kinse kundër Milosheviçit të pashpresë, që të ngrinin zërin “humanitar” kundër një lufte për të cilën diheshin dhe njiheshin përgjegjësit.
Në librin e cituar të Gjilasit lexojmë se pajtimi i realitetit stalinist me ndërgjegjen njerëzore të tij, po bëhej gjithnjë e më i pamundur (f. 81). E citojmë këtë disident që kishte rastin ta takonte zyrtarisht shumë herë Stalinin dhe se është shprehur që sa më shumë e takonte diktatorin sovjetik, aq më tepër e urrente diktaturën komuniste. Për pabesinë e Stalinit tregon këtë episod: “Nga fundi i Luftës II Botërore, duke na rekomanduar neve, komunistëve jugosllavë, të bënim marrëveshje me mbretin Pjetër II, Stalini shtonte: - “Dhe pastaj, si të forcoheni ca, ngulini thikën në shpinë” (f. 140). Fizionomia e Stalinit, që na jepet në shumë pasazhe të veprës “Fytyra e totalitarizmit”, na kujton enverizmin që kishte marrë yrnek te stalinizmi, në të gjithë veprimtarinë e tij terroriste. Ajo thika prapa shpine, për shembull, ka precedentin shqiptar në qëndrimin ndaj Mustafa Gjinishit. Por Enveri ishte i ndryshëm vetëm në një pikë në krahasim me Stalinin, sepse ky i fundit zbatoi pikë për pikë porositë e Pjetrit të Madh për ta bërë Rusinë (B. S. pas plot dy shekujsh) një supershtet me gllabërimin e shteteve të tjera. Kjo veçori i shton diktatorit tonë edhe antikombëtarizmin e tij, në emër të internacionalizmit proletar! (Mos ta përmendim sërish atë muhabetin e gëlltitjes!)
Politikanët rioshë serbë, nuk patën në enturazhin e tyre ndonjë majtist (të themi) si ai që cituam, që ka rrëzuar teorikisht librat e Leninit dhe të Stalinit dhe është shprehur se “Roli i marksizmit po bie. Në lëvizjen punëtore po rritet krahu reformist” (160).
Për më tepër Tadiçi, me të gjithë suitën e tij monokolore nuk kanë bërë ndonjë mea culpa për atë aradhe të tërë kriminelësh e keqbërësishr e për të gjithë atë tmerr që kanë hequr kosovarët nga kolonizatorët anakronikë të Millosheviçit. Dhe mezi kanë dorëzuar një thërrime nga një mizërí terroristësh gjakësorë. Asnjë përkushtim për të vënë në dorë kriminelët, sipas kërkesës së faktorit euroatlantik. Ka pasur edhe kërcënime të tilla në shtypin serb: - Po nuk na pranuan në BE, ne futemi në aleancën që po na ofron Rusia!
Në Mitrovicë kërkojnë që mallrat serbe të hyjnë lirisht në Kosovë, por jo e anasjella: që edhe mallrat kosovare të kalojnë në Serbi. Njëri ndër shkaqet është se në fletëdoganimet e Kosovës shënohet “Republika e Kosovës!”. Ç’do të donin të shkruhej? Kolonia serbe e Kosovës?! Kushtëzime të pafytyra.
Këtu na kujtohen edhe kushtëzimet e njëpasnjëshme të kryetarit në detyrë të PS-së shqiptare, Edi Ramës. Tani që kërkohet me ngulm nga faktori europian, pas ndëshkimit energjik që iu bë bllokimit 2-vjeçar të parlamentit nga PS-ja e E. Ramës, dhanë fjalën se do të votonin për çështjet që kërkojnë 3/5-at dhe të mos vonohen për të përgatitur bashkërisht Kodin Zgjedhor. Na, megjithatë, se në rregulloren e parlamentit duhet të pranohet mendimi i PS-së për vendime me votë të mbyllur. Edhe këtu na e nxjerr sërish kokën kushtëzimi, sepse në Amerikë, vendi që merret si shembull për liritë demokratike, nuk është një praktikë e tillë.
Po flasim për tiparet e PS-së sonë. Edhe Kongresi (X) i ndërrimit të emrit për oportunizëm politik apo për konformizëm se kinse jemi edhe ne antienveristë(!), është një dinakëri që s’bind as naivët. A nuk janë brenda kësaj partie të gjithë mëkatarët, ata që duhet të përgjigjen për krimet e tyre gjatë diktaturës?
Ja përse themi që PS-ja jonë dhe PS-ja e Mira Markoviçit, janë të ngjashme. Kjo jona ishte e parashikuar që këtë 16 shtator nuk do të vazhdonte rutinën e glorifikimit të diktatorit në Pezë. Por, sidoqoftë, është tepër vonë për të fshehur mendësinë e saj enveriste, që manifestohet në çdo hap të veprimtarisë së saj.
Që të jemi të qartë, ne nuk mund të jemi refraktarë kundër së majtës sonë, që nuk ka mendësi të çoroditur ndaj diktaturës dhe diktatorit. Por kur themi (hë për hë, shpresojmë) “e majta e Edvinit”, kemi parasysh atë të majtë që do të stonojë në komunitetin evropian. Paçka se ka edhe ndonjë të majtë tjetër të këtij kallëpi! – siç e pamë me PS-në serbe.