E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Mirëpresim propozimet konkrete të opozitës, por s’do lejojmë tentativat për bllokimin e procesit të integrimit

19-09-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka deklaruar sot se mazhoranca është e gatshme të shqyrtojë çdo propozim të opozitës i cili do të çojë në përsosjen e standardeve, por nuk do të lejojë asnjë tentativë që synon bllokimin e procesit të integrimit. Në një konferencë për shtyp, kryeparlamentarja i është përgjigjur kreut të PS-së Edi Rama i cili deklaroi se Topalli e ka kundërshtuar draftin e PS-së për reformën parlamentare ende pa e marrë atë. “Unë nuk mund të rrëzoj diçka që nuk e kam ende në dorë. Kryetarja e kuvendit mirëpret çdo inisiativë që çon në përsosjen e standarteve. E vetmja gjë kur unë jam xheloze është standardi”- ka theksuar Topalli. E pyetur për deklaratën e kreut të PS-së për tërheqjen e drafteve të bëra sa për t’i hedhur hi syve Brukselit, Topalli ka theksuar se në këtë mënyrë nuk kemi të bëjmë me kurs te ri, por me një bllokim. “Bllokimi dhe bojkoti ka dëmtuar integrimin, humbën dy vite, koha nuk pret, nuk të fal më për bllokim. Nëse dikush kërkon që mes kursit të vjetër të bllokojë sërish kjo do ishte shumë e rëndë dhe do mbajë përgjegjësi. Ligjet nuk janë as arma as zhele, për to duhet pasur më shumë respekt”- theksoi Topalli. Gjithashtu kryetarja e Kuvendit Topalli bëri edhe një rezume të pjesëmarrjes së saj në Forumin Parlamentar për Demokraci si dhe takimet që ka zhvilluar me Zv/Ndihmës-sekretarin amerikan të shtetit Filip Riker si dhe me kongresmenët amerikanë, Elliot Engel dhe Jean Schmidt.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›