Krahina e Kolonel Bunkerit (2)
halil.matoshi@kohaditore.com
(VIJON NGA NUMRI I DJESHEM)
Kosovarët e sotëm, shumica me një identitet të qartë, shqiptarë etnikë, nëse arrijnë që shtetin e tyre ta afirmojnë ndërkombëtarisht deri në anëtarësim në OKB, atëherë ata do të jenë kosovarë, një komb i mëvetësishëm, si njësi e rritur, ndonëse vazhdojnë të jenë shqiptarë etnikë, porse veçantitë identitare, politike dhe historike e të shtetkrijimit vështirë mund të kontestohen
Roger Cohen ka shkruar një kolumnë në The New York Times, për Mesut Oezilin gjatë Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut, me titullin në dukje paradoksal, Oezil gjermani dhe portretizimi që i bën amerikani futbollistit tashti të Real Madridit, flet më shumë dhe më mirë se çdo teori identitare.
Oezil, 21 vjeç, ka klas. Ai është një gjerman. Kjo është pjesë e fascinimit tim. Oezil është një gjerman mysliman me prejardhje turke, shkruan Cohen.
Në kontekstin kosovar, debati shoqëror rreth kombit dhe shtetit është plot ngërçe, sepse për shumë kë, teoritë moderne identitare tingëllojnë utopike, e shpesh edhe si tendencë shkombëtarizuese. Pra këto debate i mbyt qasja emotive dhe shpesh argumenti i forcës (ad hominem) është mbi forcën e argumentit. Përmes këtij debati, unë mëtoj ta zhvilloj një teori konkurrente, e jo të krijojë kombe të reja, sepse licencën për kombet nuk e ka asnjë person i vetëm, por elitat e një bashkësie të dhënë konform me zhvillimin historik dhe kulturor, interesat madhore ekonomike e politike, si dhe ndjenja e fuqishme e përkatësisë së përbashkët. Pra, kjo bashkësi e njerëzve me vullnet të përbashkët dhe përmes një trupi të shëndoshë politik e projekton të ardhmen e vet, si shoqëri politike, që është kombi. Ndonëse në parim Republika e Kosovës është shtet qytetar, sipas Pakos Ahtisaari ky shtet dhe kjo shoqëri politike është atomizuar duke e ndarë etnikisht, (komunitetet etnike.) Në vend se të investohej në kombin supranacional, pakoja ua mohon kosovarëve miqësinë qytetare.
Debatin e bën të vështirë edhe etnonacionalizmi, që shpesh përmes bashkimit kombëtar si prononcim politik mbush zbrazësitë patriotike në biografitë personale, një lloj arkaik të patriotizmit, siç kuptohet rëndom në mendësinë shqiptare, e jo kultivimin e patriotizmit modern, që Jurgen Habermas e quan patriotizëm ligjor.
Para do kohësh vajti në Tiranë një president jokushtetues dhe tha se Tirana është edhe kryeqytet i Kosovës, derisa kjo e fundit e ka një kryeqytet kushtetues. Rrahagjoksit kombëtarista nga të dyja anët e kufirit nuk prajnë së luftuari kundër interesave jetike të shtetit të Kosovës, duke e penguar vendosjen e shtetit ligjor, dekriminalizimin e politikës dhe perëndimorizimin e shoqërisë kosovare. Vetëm pak ditë para se të vinte Mojsiu, Kolonel Bunkeri në Kosovë, kryetari serb Boris Tadiq tha se do të bisedonte më Sali Berishën për ta arrirë një zgjidhje historike mes dy popujve, pra duke e anashkaluar Kosovën dhe kosovarët, që, sipas serbit Tadiq nuk ekzistojnë.
Ekzistojnë në Kosovë, shqiptarët, serbët, turqit, romët por jo edhe kosovarët, pati thënë ai. Dhe ai pati të drejtë, sepse këtë tezë ia përligji një komision i mjerë kosovar për regjistrimin e popullsisë. Pikërisht në sprovën e marrjes së krahinave serbe ra diktatori Milosheviq dhe mbi tokat e djegura u ngritën shtetet e reja. Rasti i ndarjes së malazezve nga Serbia, ku ndjeheshin qytetarë të rendit të dytë në komb dhe shpallja e pavarësisë shtetërore e ka rritur ndjenjën kombëtare malaziase.
Natyrisht, për ta hequr konfuzionin, Shqipëria dhe Kosova kanë ngjashmëri me Gjermaninë dhe Austrinë, të dyja me rrënjë gjermanike por jetojnë si dy kombe të ndara. Një austriak i rëndomtë sot, ndonëse flet një dialekt të gjermanishtes, ai lexon gjermanishten zyrtare, por për veten thotë se është austriak.
Ndërkaq, që emërtimi Kosovë dhe kosovar ngërthen brenda vetës një përkatësi gjeografike dhe politike-historike, ngjashëm me emërtimin zviceran, që shpreh një bashkësi shtetërore supranacionale (Besëlidhja helvetike.)
Kosovarët e sotëm, shumica me një identitet të qartë, shqiptarë etnikë, (etnia është statike) nëse arrijnë që shtetin e tyre ta anëtarësojnë në OKB, atëherë ata do të jenë një komb i veçantë, (kombi është variabël) ndonëse vazhdojnë të jenë shqiptarë etnikë, porse si njësi e rritur (Urs Altermatt.) Në rastin kosovar veçantitë identitare, politike dhe historike e të shtetkrijimit vështirë mund të kontestohen. Sot kosovarët identifikohen me këto veçanti dhe me shtetin e tyre si e drejtë e arrirë dhe nuk janë futuristë fantastë ata që mendojnë për këtë komb të ri. Ndoshta ky proces i ngjizjes së kombit merr kohë, por nëse historia ose rastet e ruajnë Kosovën si entitet dhe natyrisht si shtet me interesat e veta nacionale në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe nëse Serbia dhe Shqipëria e lënë të qetë në shtetndërtim, kombi do të bëhet. Porse për një komb të miqësisë qytetare duhet të plotësohet edhe një kusht, pos etnive të tjera kosovare që ndihen tashmë të tillë, kosovarë edhe serbët duhet ta pranojnë shtetin e ri dhe të identifikohen me kosovarizmin.
Disa serbë tashmë po e bëjnë këtë. Një ditë mund ta bëjnë shumica e serbëve kosovarë, porse kjo varet kryesisht se çfarë do tu ofrojë ky identitet shtetëror.
Duket futurizëm sot, por nëse të gjithë qytetarët e Kosovës, harrojnë nga pak çjanë dhe e themelojnë një miqësi qytetare si kosovarë (emërtim neutral) në shtet, kombi i ri do të jetë realitet historik dhe politik. Të kesh një Kushtetutë dhe ligjet, një Qeveri të njohur ndërkombëtarisht, të kesh simbole të veçanta kombëtare (flamur, himn) dhe një status qytetar që të mundëson të shkosh në Teatrin kombëtar (në Prishtinë jo në Tiranë), të kesh një kombëtare në futboll ose në sportet e tjera, e të bësh tifo për të, ti e ke një komb, më të dallueshëm në disa aspekte por të ngjashëm në origjinën (gjakun, truallin dhe gjuhën) që besohet të jetë e njëjtë, me një komb tjetër, e në këtë rast me kombin shqiptar.
Debatet shoqërore në hapësirat shqiptare janë të zorshme dhe kryesisht dominohen nga mujshia dhe qasjet emotive dhe rrallë, shumë rrallë janë racionale.
Ta marrim një personazh real shqiptar të Kosovës për ta thjeshtëzuar përkatësinë identitare, që mund të jetë e shumëfishtë, njëjtë si rasti i Mesut Oezilit.
Ai quhet Rushit Arifi dhe dëshiron të marrë pjesë në debatin rreth kombit dhe shtetit, spontanisht. Ai jeton dhe punon në Suedi qe 20 vjet. Punon si defektolog për sëmundjet e syrit, (Low vision specialist.)
Thotë se i përcjell debatet, analizat dhe shkrimet e mia me kënaqësi të madhe.
Në shumicën e rasteve ndiej se “mi merr fjalët prej goje”, mirëpo kur është çështja te debati për “krijimin e kombit kosovar” nuk pajtohem fare (nuk di se a nuk dua ti absorboj argumentet e tua, ose thjesht kam aversion ndaj vetë idesë).
Po si trajtohet ai në Suedi, si i huaj (utläning) apo si suedez?
Ai ka nënshtetësi suedeze që afër 16 vjet dhe në pasaportën e tij shkruan qartë: Nationalitet – Svensk (suedez), mirëpo, ai ka edhe pasaportë të Kosovës.
E pranon se në çdo aspekt, nga pushteti suedez trajtohet si suedez, përpos diskriminimeve të vogla eventuale nga individë të papërgjegjshëm në pushtet.
Nga kolegët, në vendin e punës, thotë se trajtohet varësisht nga personat, nga ngritja intelektuale e tyre, shkollimi si dhe përvoja e kolegëve.
Shumicën e rasteve, kolegëve nuk u vjen mirë, në qoftë se them: unë jam shqiptar, e nuk jam suedez. Ata duan që unë edhe të ndihem suedez. Mirëpo shumë herë më prezantojnë si shqiptar (alban) ose si shqiptar i Kosovës (kosovoalban). E njëjta gjë ndodh edhe me s
