E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurthet e hershme kundër Kosovës

22-04-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Andrallat mediatike të Kosovës, fill pas shprangosjes, si koloni e jashtëkohshme

Ky shkrim u nis si një përkthim. Përfundoi në një polemikë.
As që do t’ia vlente, nëse artikulli që mora për të përkthyer do të ishte botuar në një organ të shtypit të majtë. Kundërvënia më nxitet ngase është shkruar në një revistë të së djathtës, nën okielon: “Të jetosh në një vend, i mbrojtur nga rojat”. Është fjala për serbët që janë kthyer, apo për ata që kanë mbetur në Kosovë.
Në krye të fotos ndodhet titulli i këtij reportazhi: “Të burgosurit e paqes”. Diçitura: Një murg i manastirit të Deçanit, në jug të Peç-it (Pejës), me roja ushtarët italianë” (është fjala pas mbarimit të luftës). Poshtë kësaj pllakate, në dy faqe të revistës, është shkruar: “Gjithmonë e më të paktë, më të varfër, më të kërcënuar: në këtë gjendje jetojnë serbët në këtë rajon të qeverisur nga OKB-ja. Këtu  ndeshjet me shqiptarët s’kanë të mbaruar. Tani, pas Milosheviçit, zotëron ankthi i spastrimit etnik (nga ana e kujt? – shënim.)”. Autorja e sqaron vetë: “Është një spastrim i anasjellë”. Gjene mirë!
Me këtë fillim kuptohet edhe vazhdimi. U qahet halli, tanimë, serbëve. Një gjë të tillë e kishte bërë, në valën e terrorit serb, komunisti italian Armando Kosuta ( vjeshtë, 1999), në emisionin televiziv të majtizmit italian në fuqi, të drejtuar nga Mikele Santoro.
Nëse qëndrimi i Kosutës në atë kohë kur bëhej kërdia në shqiptarët ishte cinik, nuk mund ta themi këtë për artikullshkruesen Folda; cilido është kundër keqtrajtimit  të minoriteteve. Por artikulli, megjithatë, meriton shqyrtim në shumë pikëpamje.
Terminologjia. Së pari, është bërë zakon që Kosova të shkruhet në gjuhët e huaja me “o” prapa. Akademia serbe është treguar tepër e zellshme në këtë drejtim. Dhe ia ka arritur të çorientojë dynjanë.
Në enciklopeditë, duke u quajtur ende Kosova provincë serbe, në kuptimin zyrtar, përdoret fjala me o në fund.
Kështu, në “Mikrosoft Encarta Enzyklopädie Professional, 2003” (versioni gjerman), shkruhet Kosovo. Megjithatë, për të mos iu rikthyer këtij botimi të rëndësishëm, le të vijojmë të paraqesim edhe  hyrjen e shkurtër historike, që vjen fill pas zërit “Kosovo”:
“Rreth viteve 1000 para Krishtit rajoni ishte i populluar nga Ilirët të cilët, aty nga vitet 700 p.Kr. u vunë nën ndikimin grek, pastaj romak. Në vitin 395 pas Kr., me ndarjen e Perandorisë romake, hapësira e Jugosllavisë së mëvonshme u bë pjesë e Bizantit. Në shekullin V dhe VI ia behën në Europën Jugore fiset sllave ( në mes të cilave serbë, kroatë, sllovenë dhe bullgarë) dhe përthithën (absorbuan) popullatën autoktone”.
Këta pak rreshta bëjnë fjalë edhe për autoktoninë e Kosovës, përveç faktit të paraluftës se në një popull prej 2.200.000 banorësh, 95 % janë shqiptarë dhe 5 % janë serbë dhe romë. Ç’është e vërteta, këto shifra janë dhënë nga Françeska Folda në reportazhin e saj, bashkë me disa statistika të tjera, në një rubrikë me një titull që s’para m pëlqen: “Toka për të cilën grinden të dyja palët”.
Sidoqoftë, duke iu rikthyer fjalës Kosovo, pas mbarimit të luftës, mjaft publicistë dhe studiues të huaj, dashamirë të vendit tonë, duke mos dashur ta shohin problemin de jure, në të vërtetë e përdorin emrin me “a” në fund (siç e përdorin shqiptarët).
Duket se reporterja nuk bën pjesë në këtë kategori. Sepse ajo përdor edhe togfjalëshin “kosovarë serbë”. A mos e ka të vështirë të kuptojë se fjala “kosovar”  është si sinonim i fjalës shqiptar?
Së treti, autorja përdor edhe termin “enklavë serbe” për disa vende të Kosovës, në të cilat numri i serbëve mund të numërohet me gishtat e dorës. Kjo zgjon habi, sepse edhe ndonjë publicist serb, i indoktrinuar nga akademitë serbe, nuk ka përdorur shprehje të tilla, nga sa dimë.
Në një foto është vënë kjo diçiturë: “Mitrovica e veriut është e mbushur me postera që himnizojnë Millosheviçin dhe që ftojnë serbët të “Votojnë për të vërtetën”. Lexuesi ynë mund të shohë edhe foton e satrapit të Ballkanit, të cilit i është grisur afishja në fytyrë, si edhe ato të tjerat që ndodhen nën atë. Për këtë nuk mund ta fajësojmë autoren e shkrimit, aq më tepër se ai votimi për “të vërtetën” është vënë nën thonjëza. Megjithatë nuk do të cenohej reportazhi po të bëhej edhe ndonjë koment për mendësinë serbe, në sajë të së cilës, i burgosuri i Hagës, pavarësisht nga katastrofa zgjedhore, arriti të rizgjidhet si deputet, në listën e PS-së serbe!
E keqja që i bën tjetrit, shpesh të bie në kokë. Autorja paraqet në mënyrë të njëmendët, në reportazhin e saj, mësimet e nxënësve serbë në Kosovë, me fare pak nxënës, ndonjëherë edhe me një të vetëm. Është interesante fotoja me titullin “Unë mësoj vetëm” dhe me përmbajtjen: “Mësuesi Milan Premoviç me nxënësen e tij të vetme, Miliana Joviç, në enklavën serbe të Obliçit”.
Sipas reportazhit, para ’99-s nxënësit sllavofonë ishin 900, kurse sot janë 45.
Është e vërtetë se më shumë se gjysma e serbëve të Kosovës ikën nga sytë këmbët, me gjendjen e pavarësisë de facto që u krijua pas luftës. Prandaj serbët në Kosovë, pas luftës, ishin më pak se 5 %.
Kur muhaxhirët kosovarë erdhën nga përkëtej kufirit, të dëbuar nga hordhitë e Millosheviçit dhe të bandave të tij, duke humbur një pjesë të familjes nga masakrat serbe, zura miqësi me një familje të përgjysmuar, me shtëpi të plaçkitur e të djegur, e me fatkeqësi të tjera, që më mirë mos t’i përmendim. Pyeta njërin prej anëtarëve të kësaj familjeje të mjerë, një djalosh energjik, që do të rikthehej në Kosovë, për të dhënë ndihmesën e vet për çlirimin e atdheut:
-Si i kishit marrëdhëniet me komshinjtë serbë, para luftës?
-Nuk mund të them si “ndërmjet vedit”, por njëfarësoj. Ama kur erdhën forcat serbe me urat e zjarrit në dorë, disa nga këta njerëz u shfytyruan, u shndërruan në bisha. Këta na u futën shtëpive për të na i boshatisur, para se ushtarët t’u vinin zjarrin. Ne i njohim një për një keqbërësit. Të mirët, ata që s’u trazuan në këto pislliqe, ishin fare pak. U bënë trima edhe romët, e s’lanë gjë pa na grabitur. Nuk ishin të paktë serbët komshinj që u morën me spiunllëqe, treguan ku ishin fshehur familjet dhe u bënë shkas për masakrat.
Më mbeti në mend, nga të gjitha këto fjalë, ajo “ne i njohim një për një”. Këtu është thelbi i asaj që ata s’deshën  të rikthehen, ndonëse kryefamiljarët merrnin si asistencë një shumë të majme eurosh, nëse ktheheshin. Reportazhi i Françeska Foldës përmend edhe këtë shumë, por nuk bën asnjë koment për ngurrimin e serbëve për të ardhur sërishmi në Kosovë.
Gazetarja, e dërguar në Prishtinë për këto shkrime, do të kishte rastin, më shumë se kolegët e saj, që të informohej edhe si i bënin mësimet shqiptarët, në mënyrë të fshehtë, me fonde që mblidheshin në diasporë për arsimimin e bashkatdhetarëve, nëpër shtëpi private, që zëvendësonin shkollat.
Pra, nuk është në themel urrejtja për serbin që kishte shkaktuar  fushata të njëpasnjëshme shpërnguljesh, që serbët të trashëgonin truallin e tjetërkujt. Nga libri i Erik Laurentit, “Lufta e Kosovës” (Dosja Sekrete) do të citoj vetëm një rresht: “Në dhjetë ditë, me këtë ritëm, Millosheviçi synonte ta boshatiste të gjithë Kosovën” (f. 81).
Arsyeja e moskthimit të serbëve është e thjeshtë: “Kriminelët njihen një për një për krimet që kanë bërë”!
Shkrimi i Foldës është i njëanshëm, sepse u qan hallin serbëve, pa u thelluar. Ajo na kujton, pak a shumë, Armando Kosutën.
Veçse shqetësimi i gazetares nuk shprehet në emisionet e Santoros, por në një revistë të djathtë!
Sigurisht, diversiteti i mendimeve është i pranueshëm për liberalizmin e djathtë. Por ky mendim i larmishëm, kur është i molepsur me naivitetin,   shfrytëzohet me ustallëk nga  autokracia  majtiste.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›