Basha blen shtepi me pasaportë amerikane dhe mban 4 pasaporta shqiptare
Veç dy deklarimeve të rreme të pasurisë, ka edhe pika të tjera që kërkojnë përgjigje nga zoti Basha në kontratën e blerjes së shtëpisë në Utrecht të Holandës.
Njëra prej tyre është veçanërisht kurioze të marrë një përgjigje publike. Siç shihet në faksimilen përbri, që është një dokument noterial i Kadastrës shtetërore të Holandës, në blerjen e shtëpisë, shtetasi Lulzim Basha, prezantohet në dhjetor 2001, me një dokument që ngjall habi. Kontrata noteriale thotë që shtetasi në fjalë, “mban pasaportë amerikane” dhe po aty jep numrin e këtij dokumenti.
Presim një përgjigje nga z. Basha për këtë dokument, ndërkohë që nga një hulumtim i Shekullit në regjistrin e hyrje-daljeve rekord të Bashës nga Shqipëria, vihet re një tjetër fenomen, që ka të bëjë sërish me pasaportat.
Z.Basha mund të jetë i vetmi zyrtar shqiptar që ka jo një, as dy, po tri pasaporta diplomatike dhe të tria janë të vlefshme brenda së njëjtës periudhë. Ai ka edhe një të katërt, madje, e cila është marrë gjithashtu pa mbaruar afati i posedueses, por kjo ëhstë tashmë e skaduar, kurse tri të tjera, janë të tria të vlefshme, madje dy prej tyre janë marrë në të njëjtin vit, i cili “çuditërisht” është viti i skandalit të hetimeve për zhdukjen e parave nga rruga Durrës-Kukës.
Numrat e këtyre pasaportave janë:
1 – D 0012560
2 – D 0001210 (kohëzgjatja 2007-2017)
3 – D 0001313 (kohëzgjatja 2007-2017)
4 – DC 0762158 (kohëzgjatja 2010-2020)
Pasaporta diplomatike me numër 0001210 dhe ajo me numër 0001313 janë të dyja me të njëjtin afat përdorimi nga viti 2007 në vitin 2017.
Pyetjet për Bashën kësaj here janë: Përse të janë dashur dy pasaporta diplomatike? Përse është marrë pasaporta e dytë në vitin 2007 kur ti sapo e kishe marrë një të tillë? A ka lidhje kjo me hetimet për paratë e zhdukura nga rruga Durrës-Kukës?
Gjysma e dytë e 2007-s përkon pikërisht me fazën e hetimeve ndaj Bashës për abuzimet e konstatuara nga KLSH dhe për të cilat prokuroria hetonte. Në fund të këtij viti, Bashës iu hoq edhe imuniteti. Është e qartë që nevojën për 2 pasaporta e kanë personat që planifikojnë të largohen, kur për shkak të hetimeve për krime, mund t’u bllokohet pasaporta dhe mundësia e lëvizjes jashtë vendit.
A është ky rasti juaj z. Basha? Nëse jo, përse ju duhej kjo pasaportë e dytë dhe si e keni nxjerrë atë?
Këto pyetje po i bashkëngjisim pyetjeve të djeshme, të cilave ende nuk ju jeni përgjigjur: Cili është reagimi juaj për mashtrimet në deklarimet tuaja të pasurisë për 2005 dhe 2007? Mashtrimet dëshmohen nga krahasimi i kontratave dhe dokumenteve të Kadastrës së shitje-blerjes së shtëpisë në Utrecht me deklaratat tuaja të pasurisë të nënshkruara nga vetë ju. Lexuesit tanë presin përgjigje.
