Betejë me njerëz të fortë dhe gjuhë të butë
Ka një episod që po harrohet në këtë fushatë elektorale, dhe ai ka të bëjë me një personazh të cilin Berisha e ka pasë lakuar shumë si sekser të Edi Ramës. Ai është Dritan Avllaj, i njohur ndryshe si Tan Lepuri. Ky person ka deklaruar se ndërkohë që u plagos nga persona ende të paidentifikuar, sapo kishte përfunduar një bisedë telefonike me Sali Berishën. Kryeministri ynë që nuk lë gjë pa përgënjeshtruar, heshti. Gjithçka u lexua qartë. Sali Berisha kishte nxituar të rekrutonte njeriun që ai gabimisht e ka identifikuar me fuqinë reale të liderit të opozitës. Ky ishte sinjali i parë që Berisha do të bënte një fushatë me njerëz të fortë, dhe me një gjuhë të butë në Tiranë. Disa ditë më vonë një motor që su kap kurrë plagosi Drejtorin e Policisë Ndërtimore të Bashkisë dhe incidentet vazhduan pa fund. Kjo që paska ndodhur ditën e enjte me Emiljano Shullazin, sipas denoncimit që ka bërë opozita, është e frikshme. Frika nuk qëndron tek emri konkret, por tek mënyra se si Partia Socialiste ka reaguar ndaj kësaj ngjarjeje shumë- shumë të rëndë. Dy deputetët që kanë dorëzuar kallëzimin kanë folur për frikësim të pronarit të zyrës elektorale të opozitës, për prishje të dhunshme të mitingut, për nxjerrje jashtë zyrës elektorale të vullnetarëve të opozitës, për thyerje të fonisë dhe për detaje të tjera të rënda që lidhen me frikësimin e banorëve të zonës që mbështesin opozitën, etj.
Rruga ligjore është njëra anë, por ajo nuk heq dot terrorin mbi banorët. Me këto kredenciale që ka drejtësia shqiptare dhe këtë parajsë që ka prodhuar për krimin në vend, askush nuk beson se duke bërë një kallëzim penal situata zgjidhet. Në këtë rast është koha që Edi Rama të mësojë nga Sali Berisha i dikurshëm në opozitë, i cili në raste të tilla dilte tek vendi i ngjarjes dhe shqiptonte emrin e atij që ngjallte terror. Kjo është një fushatë terrori mbi opozitën. Ministri i Brendshëm, që po garon për Tiranën, i ka dhënë imunitet elementëve të inkriminuar për të frikësuar qytetarët dhe për të ngjallur terror. Për të mos u shfaqur bashkë me ta, i ka lënë në kujdestari të partisë së Shpëtim Idrizit dhe Ilir Metës. Mënyra se si Berisha gëlltiti bërjen publike të telefonatës së tij në mbrëmje me Dritan Avllain dhe vazhdimi i këtij seriali terrori mbi opozitën me ngjarjet e së enjtes, tregojnë qartë se gjendemi jo para një tensioni real mes opozitës dhe pozitës, por përballë një terrori të planifikuar të pushtetit ndaj strukturave të opozitës. Heshtja e opozitës ditën e enjte për këtë që ka ndodhur është shumë e rëndë. Do të jetë më e rëndë nëse opozita nuk e kthen këtë fushatë elektorale edhe në një betejë për denoncimin publik të atyre që guxojnë të frikësojnë opozitën. Edi Rama duhet të shkojë vetë aty ku ka ndodhur ngjarja dhe tu japë kurajë njerëzve që janë përplasur me terrorin. Ky nuk është më aksident dhe nuk ngjan aspak me guralecët mbi xhamat e makinës së Ben Blushit. Ky është terror i planifikuar dhe i kontrolluar. Kjo është një ngjarje që duhet të mbahet shënim, jo për inventarin e dëmeve që janë bërë tek fonia apo lokali elektoral i opozitës, por tek ndërgjegjja e qytetarëve, të cilët kanë kuptuar se shteti po i lë pa mbrojte përballë terrorit të prodhuar prej tij.
Këtu nuk është fjala për emra të përveçëm, apo për rrezikshmërinë e tyre, por për politikën e menduar të Berishës për të përdorur krimin në këtë fushatë elektorale dhe për të folur për paqe. Dhe shenjat e para të suksesit duket se po i arrin pasi ka mundur të tulatë Partinë Socialiste në një zonë të Tiranës dhe të bëjë që në vend të denoncimit të fortë publik, të mjaftohej me një denoncim në prokurori. Ky është një hap përpara drejt perandorisë së frikës që Berisha po tenton të ngrejë para 8 majit në Tiranë. Kur flet për dialog, ai ka parasysh përuljen e opozitës nga frika, kur flet për mungesë të gjuhës së ashpër, ka parasysh mbylljen e gojës së opozitës nga frika, dhe kur flet për paqe, ka parasysh luftën për ta bërë opozitën që të heshtë nga frika. Është duke shpresuar tek fitorja nga ngjallja e frikës dhe jo tek fitorja nga ngjallja e shpresës për Tiranën.
