E Diel, 1 Nëntor 2026

Krahu i djathtë i Millosheviqit burg të përjetshëm, mbrojtja kërkon pafajësi

Wayne Jordash, avokat mbrojtësi i Jovica Stanishiqit, kryeshefit të Shërbimit të sigurimit të Sërbisë në kohën e Millosheviqit ka kërkuar nga Trupi gjykuës i Tribunalit të Hagës, që ta lirojë Stanishiqin nga përgjegjësia për krimet e bëra në Kroaci dhe Bosnje Hercegovine duke pohuar se ato nuk janë dëshmuar dhe nuk ka prova.

“Stanishiqin duhet liruar”, ka thënë avokat mbrojtësi i tij Wayne Jordash, duke porositur se klientit të tij duhet mundësuar që të kthehet në vendin dhe rrethin e vet për të “jetuar e përjetuar në paqë e qetësi për të cilën ai ka ndihmuar që të ndodhe”.

Prokuroria e Tribunalit të Hagës të martën ka kërkuar që Stanishiqit ti shqiptohet dënimi me burgim të përjetshëm për shkak të krimeve ndaj mijëra e mijëra viktimave në Kroaci e Bosnje dhe pasojave të tilla që edhe sot e kësaj dite janë të dukshme ka cituar INA

“Është shumë vështirë të paramendosh dhe të imagjinosh krime më të rënda”, ka theksuar në fjalën e tij përfundimtare prokurori Dermot Groome.
Mbrojtja e Stanishiqit ka konstatuar se dëshmitë dhe provat e nxjerrura kundër Stanishiqit janë të “dyshimta dhe të pavertëtuara” dhe janë të pakta për pikat kryesore të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Stanishiqi së bashku me të akuzuarin e dytë, Franko Shimatoviq, si pjestari kryesor dhe kyç i veprimeve të përbashkëta të krimeve, kanë marrë pjesë në vrasjen, deportimin, zhvendosjen e dhunshme dhe dëbimin e mijëra e mijëra pjestarëve të popullatës josërbe, gati pesë vjet rrjesht nga teritoret e Kroacisë dhe të Bosnje.

Në këto veprime të krimeve, kanë qënë edhe ish presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviq, udhëheqësit e sërbëve të Bosnjës dhe të Kroacisë, Ratko Mlladiq, Radovan Karaxhiq, Biljana Pllavshiq, Millan Martiq, Goran Haxhiq, dhe Millan Babiq e së bashku me udhëheqësin e radikalëve sërb Vojisllav Sheshel si dhe komandantin e formacioneve paramilitare Zhelko Razhnjatoviq-Arkan.

Mbrojtja e Stanishiqit, në fjalën përundimtare ka konstatuar se gjatë kontakteve me personalitetet udheheqëse në Sërbi, në Republikën Sërbe të Bosnjës dhe të ashtuquajturën Republikë Sërbe në Kroaci, thjeshtë ai ka kryer dhe ushtruar detyrën e vet dhe nuk ka marrë pjesë në veprime të kryerjes së krimeve. Kështu për shembull me Martiqin dhe babiqin ai ka kontaktuar për ti bindur që ta pranojnë zgjidhjen paqësore të problemit-ka thënë Jordash.

Stanishiqi së bashku me komandantin e njësitëve për operacione speciale të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit (SDB-së) Franko Shimatoviqin është i akuzuar në pesë pika të krimeve të kryera në teritoret e Kroacisë dhe B e H, dëbimin, vrasjet, deportimin dhe veprave të tjera çnjerzore.

Krimet, sipas akatakuzës në Kroaci dhe B e H, i kanë kryer njësitet e SDB-së së Stanishiqit, ose ky shërbim ka mundësuar krijimin e formacioneve si p.sh.: “Beretat e kuqe”, “Shkorpionët”, “Tigrat”, të komanduara nga Zhelko Razhnjatoviq-Arkan, “Kninxhat”-pjestarët e policisë së Millan Martiqit si dhe policisë së të ashtuquajturës Krahinë Autonome e Sllavonisë, Baranjës dhe Sremit perëndimor./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›