E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krakov, nis ceremonia e varrimit të Leh Kazinskit

KRAKOV- Ka nisur në baziliken “Zonja Jonë” në Krakov, ceremonia e varrimit të presidentit polak, Leh Kazinski dhe bashkëshortes së tij Maria. Të pranishem në ceremoni janë liderë të ndryshëm botërorë, mes të cilëve edhe presidenti rus Medvedev, ai ukrainas apo presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Shumica e liderëve që kishin deklaruar pjesëmarrjen e tyre, nuk ndodhen në ceremoni, mes të cilëve presidenti amerikan Barak Obama, kancelarja gjermane Angela Merkel, princi Carls, kryeminsitri dhe mbreti i Spanjës dhe shumë të tjerë, si rezultat i pezullimit të fluturimit nga hiri i vullkanit të Islandës. 

Arkivolet me trupat e pajetë të bashkëshortëve u sollën me një avion ushtarak mëngjesin e sotëm nga Varshava në Krakov, duke fluturuar në lartësi të ulëta për shkak të hirit të vullkanit.

Ndërkaq mjaft polakë janë shprehur kundër vendimit të varrimit të Kazinskit në një vend të tillë. Kazinksi i cili ishte president i vendit që prej vitit 2005, ishte një figurë mjaft e debatueshme në vend, pasi dhe mbështetja e tij në popull kishte një rënie prej 20% para vdekjes.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›