E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vendim historik për të drejtën detare

Me ne fund me 15 Prill 2010, Gjykata Kushtetuese e shpalli vendimin dhe arsyetimin perkates per papajtueshmërinë me Kushtetutën të Marrëveshjes Greqi-Shqipëri për delimitimin e ujërave në detin Jon.
Ky Vendim do të hyjë në analet e së drejtës ndërkombëtare detare, por edhe në historinë e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri, si një ndër vendimet më të rëndësishme e cilësore të një gjykate të brendshme në procesin ratifikues të marrëveshjeve ndërkombëtare. Me të vërtetë, deri më sot asnjë gjykatë e ngjashme e ndonjë vendi tjetër nuk ka anuluar marrëveshje delimitimi.
Dihet se delimitimi i ujërave është ndër fushat më të ndërlikuara të së drejtës ndërkombëtare detare. Me kënaqësi vërejmë se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka përballuar me sukses sfidën para saj jo vetëm për thelbin e vendimit historik, por dhe për arsyetimin e hollësishëm, të argumentuar dhe logjik të tij.
Me interes paraqitet diskutimi dhe arsyetimi i Gjykatës për legjitimimin e partive politike si palë dhe subjekt i interesuar, mbështetur tek karakteristikat dhe rrethanat e tyre që lidhen me formësimin e vullnetit politik (të pjesës) dhe shndërrimin e tij në vullnet shtetëror (të së tërës) (paragrafët 15-23 të Vendimit).
Po ashtu, rëndësi të veçantë ka konfirmimi i rolit të Presidentit si dhënës i plotfuqishmërisë për marrëveshjet ndërkombëtare me karakter politik. Këtu mund të mbahet parasysh edhe praktika shtetërore greke, ku Presidenti, pavarësisht nga roli i kufizuar që ka, informohet rregullisht prej ministrit të Jashtëm apo kryeministri për çështje të politikës së jashtme. Duke konfirmuar rolin e Presidentit në plotfuqishmërinë e marrëveshjeve ndërshtetërore me karakter politik, Gjykata rivendosi deri diku balancën Presidencë - Qeveri, që anoi dukshëm kah kjo e fundit, sidomos pas ndryshimeve të ngutura kushtetuese të prillit 2008.
Së fundi, diskutimi për parimet e Konventës të së Drejtës Ndërkombëtare Detare dhe zbatimin e tyre në lidhje me Marrëveshjen është ndër arsyetimet juridike më të fuqishme dhe shteruese në jurisprudencën shqiptare dhe më gjerë.
Pasi analizon me logjikë dhe forcë të rrallë argumentuese objektin e marrëveshjes sipas hapësirave detare përkatëse, Gjykata deklaron prerë se, "zbatimi i ... parimit [të baraslargësisë strikte është] në kundërshtim të hapur me dispozitat e Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit, me praktikën e shteteve dhe me vendimet e gjykatave ndërkombëtare apo gjykatave të arbitrazhit ndërkombëtar". [Paragrafi 98]. Po ashtu, Gjykata e shpall prerazi të padrejtë dhënien efekt të plotë të ishujve grekë, përfshirë Korfuzin, dhe barazimin e plotë të tyre me dheun kontinental shqiptar [107]. Bashkë me konfirmimin e parimit të equity-s e të zgjidhjes së drejtë e të ndershme sipas Konventës dhe praktikës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ky përfundim i saktë përbën precedent gjyqësor tejet të rëndësishëm, që me siguri do të gjejë jehonë në çështje të tjera të ngjashme të së drejtës ndërkombëtare detare.
Po ashtu, Gjykata Kushtetuese shmang me elegancë dhe me të drejtë, kërkesën për transparencë gjatë fazës negociuese. Me të vërtetë, "Gjykata thekson se, pretendimi për mungesë të transparencës gjatë zhvillimit të bisedimeve për lidhjen e marrëveshjes, për çështjen në gjykim nuk paraqitet në dimension kushtetues". (Paragrafi 69). Në fakt, praktika delimituese pranon elementin e fshehtësisë së përmbajtjes së bisedimeve si kusht themelor në vendosjen e frymës së mirëkuptimit dhe mbarëvajtjen e negociatave. Mirëpo, me rrethanat e reja në vend, administrata do ta ketë të pamundur të mos njoftojë opinionin publik të paktën për zhvillimin e tyre në të ardhmen.
Nga ana tjetër, nuk pajtohemi me interpretimin e Gjykatës për mos-shoqërimin e Marrëveshjes me hartën përkatëse. Harta, ose alternativisht koordinatat, sipas Nenit 16 të Konventës, janë detyrim erga omnes i palëve në periudhën pas-ratifikuese. është plotësisht e arsyeshme që në periudhën para ratifikuese, administrata të shpallë hartën e marrëveshjes për publikun apo ligjvënësit vendas sipas të drejtës së brendshme shqiptare.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është pikë kthese në frymën e habitshme të nënshtrimit që vërehet tash 30 vjet në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Objektivisht nuk mund të mohohet se ilustrim i qartë i asaj se çfarë do të kishte ndodhur nëse Partia Socialiste nuk do të kishte vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, është miratimi i nxituar dhe i pakonsultuar i marrëveshjes tjetër aq të diskutueshme, të varrezave të Luftës Italo-Greke.
Asnjëherë në marrëdhëniet midis dy popujve tanë të vjetër e miq nuk ka pasur kaq njëanshmëri e mungesë barazie sa këto vitet e fundit. Qeveria e Ismail Qemalit, edhe pse në kushte tejet të vështira, u përpoq deri në fund për ruajtjen e tërësisë së trojeve shqiptare më 1912. Qeveria e Vidit, pavarësisht nga krimet e pashembullta të andartëve e trupave greke në mbarë Toskërinë, si dhe nga trysnia e kolonelit holandez Tomson, etj, e refuzoi de facto ratifikimin e Protokollit famëkeq të Korfuzit më 1914. Qeveria e Kongresit të Lushnjes, me kryeministër Sulejman Delvinën e ministër të Brendshëm Ahmet Zogun më 1920 arriti të sigurojë sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar ndaj Korçës dhe Gjirokastrës fill pas zbrazjes së tyre nga trupat frënge e italiane, pavarësisht nga kërcënimi i hapur ushtarak grek. Ahmet Zogu më tej vendosi marrëdhënie krejt të barabarta me Greqinë, por njëkohësisht fuqizoi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, dhe madje siguroi hapjen e shkollave shqipe në çamëri.
Edhe një shtet mjaft më i ri se ne, sikurse Maqedonia fqinje ka ditur të mbrojë interesat e veta me dinjitet dhe pa u përkulur nga trysnitë, vetot apo premtimet për para ose integrim. Ta themi qartë, është në interes të përbashkët që Shqipëria dhe Greqia të kenë marrëdhënie të vërteta miqësie e bashkëpunimi, mbështetur në barazinë, mosndërhyrjen, dinjitetin e respektin e ndërsjellë. Dhe, Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën gur themeli në këtë drejtim. Mirëpo, fryma e pashembullt e nënshtrimit dhe e lëshimeve, e favorizuar edhe nga burokratë në Bruksel, është një ndër faktorët që madje nxit racizmin anti-shqiptar edhe tek organizma të shtetit grek, siç u pa qartë më 25 mars 2010.
Sikurse ka thënë shkrimtari i madh, Ismail Kadare në një intervistë të fundit me një radio frënge, gjeografia ka qenë një ndër aleatët më të fuqishëm të shqiptarëve në shekuj. Bregdeti dhe ujërat shqiptarë ishin historikisht pikë takimi dhe kontakti midis Lindjes e Perëndimit. është pikërisht kjo gjeografi që Marrëveshja e Delimitimit përpiqej të cenonte, duke zhveshur shtetin shqiptar nga sipërfaqe të konsiderueshme ujërash dhe pasurish nëndetare, sikurse pranohet, madje edhe nga burime greke. Dhe, janë pikërisht disa burokratë në Bruksel që kanë përjashtuar Shqipërinë nga financimi i rrugëve të rëndësishme të transportit si Korridori 8 (ish-Via Egnatia), apo ato energjetike drejt BE-së. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën një shans të rëndësishëm për një fillim të ri në përfshirjen e Shqipërisë në rrjetin energjetik të gazsjellësve evropianë, çka do të sjellë përfitime të mëdha politike e ekonomike për vendin.
Sa i takon së ardhmes, duket se rruga e vetme mbetet referimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bën të pamundur lidhjen e një marrëveshjeje të përafërt apo të ngjashme në thelb me të parën, siç mund të duan disa. Rinegocimi nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e Italisë për pjesën veriore të vijës ndarëse, si dhe pa zbatuar kërkesat e vendimit të Gjykatës, çka duken të papranueshme për palën greke. Nga ana tjetër, është pozitive që, në frymën e afrimit apo rapprochement të qeverisë Papandreu, Greqia e ka ftuar Turqinë që, nëse negociatat për delimitimin në Detin Egje s'japin rezultat, atëherë mosmarrëveshjet t'ia përcjellin Gjykatës së Hagës. Prandaj do të ishte e arsyeshme dhe praktike që edhe rrethanat e posaçme të Jonit, sikurse ato të Egjeut, t'i liheshin për shqyrtim dhe delimitim Gjykatës së nderuar Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›