Krasniqi : Bisedimet, kopjet nuk janë dokumente të vlefshme

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se temat të cilat mund të bisedohen me Serbinë nuk mund të tejkalojnë kornizat e rezolutës së miratuar në Kuvend dhe Kushtetutës së Kosovës, duke cituar se veriu i vendit nuk mund të jetë temë e këtyre bisedimeve.
Krasniqi në një intervistë ka përsëritur se Kuvendi i Kosovës është në dijeni për përmbajtjen e bisedimeve me Serbinë nga deklaratat e herëpashershme të zyrtarëve të qeverisë. Ai tha se kopjet e dokumenteve të regjistrit civil dhe të kadastrës për të cilat thuhet se Beogradi do t`i dorëzojë Kosovës si rezultatet i bisedimeve, nuk janë të vlefshme.
“Kopjet nuk janë dokumente valide, ato janë kopje dhe validiteti i tyre varet nga origjinaliteti”, tha Krasniqi.
Duke folur për përbërjen e qeverisë, Krasniqi, tha se mendon se numri i ministrive është shumë i madh dhe shtoi se pret që kjo të rregullohet me Kushtetutën e Kosovës, e cila pritet të pësojë ndryshime edhe në këtë çështje.
“Gjithmonë kam thënë se gjithkund ku ka shumë njerëz punohet më pak. Mendoj se qeveria ka shumë ministri”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.