Krasniqi: Bisedimet me Serbinë vetëm si shtete
Prishtinë - Prishtina zyrtare deklaron se Kosova mund të bisedojë me Serbinë vetëm si dy shtete. Sipas zëdhënësit të qeverisë kosovare, Memli Krasniqi, “Kosova ka çka të bisedojë me Serbinë në interesin e popujve të dy shteteve. Por, Kosova mund të bisedojë me Serbinë vetëm atëherë kur ajo dhe liderët e saj e kuptojnë realitetin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe mund të bisedojnë me ne vetëm si palë e barabartë”. Gjatë një konference për shtyp, Krasniqi vlerësoi punën e qeverisë si mjaft të suksesshëm gjatë vitit 2008, duke ju kundërvënë kështu akuzave të opozitës. “Viti i parë i Qeverisë Thaçi ishte viti 2008 – viti i suksesit historik të popullit të Kosovës. Në këtë vit të parë të qeverisjes sonë, ne kemi realizuar ëndrrën e brezave të shumtë të qytetarëve të Kosovës, duke shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, tha ai.