E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Bisedimet, një kualitet i jetës së qytetarëve

Nesër mblidhet sërish Kuvendi i Kosovës, për të miratuar një rezolutë në lidhje me bisedimet me Serbinë. Por kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi ka shprehuar bindjen se dialogu nuk do të cënohet nga kjo rezolutë.

"Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të krijojnë një kualitet më të mirë të jetës së qytetarëve të të dy vendeve" ka deklaruar Jakup Krasniqi, i cili ka shprehur bindjen se në veçanti këto bisedime do të krijojnë një kualitet më të mirë edhe për jetën e shqiptarëve që jetojnë në Serbi, por edhe për jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë.

Kreu i legjislativit të vendit ka theksuar se përfaqësuesit e të dyja vendeve që janë duke zhvilluar bisedime në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duhet të punojnë në drejtim të shkrirjes së tensionit që ekziston mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të dy vendet ta njohin realitetin e krijuar në rajon.

"Unë pres që përgjegjësia e përfaqësuesve të të dy vendeve të shkojë drejt shkrirjes së tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe Prishtina edhe Beogradi duhet ta pranojnë se kemi një realitet të ri, i cili nuk mund të kthehet prapa. Dhe politika, obligimin që e ka marrë nga qytetarët edhe në Serbi edhe në Kosovë, duhet të mendojë për të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve të të dy vendeve", ka thënë Krasniqi.

Mirëpo ajo që sipas Krasniqit është e rëndësishme, është që siç ka vënë Kosova standarde për pakicat, ashtu t`i vendos edhe Serbia për shqiptarët që jetojnë atje.
"Ne si Kosovë kemi vendosur standarde dhe ato standarde që janë vendosur për komunitetet pakicë në Kosovë, sigurisht se duhet të vendosen edhe në shtetet e rajonit për komunitetin shqiptar që jeton në ato vende", ka theksuar Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi shprehet optimist se grupet parlamentare, do të arrijnë t`i harmonizojnë qëndrimet për nxjerrjen e një rezolute të përbashkët.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›